Në Prishtinë do të mbahet sot pasdite në orën 17:00 një protestë gjithëpopullore në përkrahje të ish-luftëtarëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Protesta organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës, e cila ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më masive në të.
Organizuesit e protestës konsiderojnë se aktakuza ndaj luftëtarëve të UÇK-së është e padrejtë dhe e ndërtuar nga një gjykatë që, sipas tyre, nuk do të duhej të ekzistonte.
Protesta është përkrahur nga drejtuesit e Partisë Demokratike, AAK-së, ish-kryeministri Isa Mustafa dhe kreu i Prishtinës, Përparim Rama.