Rajoni

Kosova e Serbia përplasen në Këshillin e Sigurimit, ndërhyn Rusia



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 12:47 - 19/10/22 |
Opi Nion

Thirrjet që Kosova dhe Serbia të shmangin retorikën nxitëse dominuan mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Shefja e Misionit të OKB-së, Caroline Ziadeh, tha se përshkallëzimi i tensioneve gjatë muajve të fundit rrezikoi përparimet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. “Që prej vitit të kaluar vumë re përshkallëzim të retorikës politike mes Prishtinës dhe Beogradit, e po ashtu disa episode të tensioneve akute në terren. Kjo vuri në rrezik përparimet e arritura përmes bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja”, tha Ziadeh.

Në takimin ku u prezantua raporti 6-mujor për Kosovën, palët akuzuan njëra-tjetrën për nxitje tensionesh. Ministri serb i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviç, tha se “veprimet e njëanshme të Prishtinës kanë thelluar ndarjet etnike”. Ai akuzoi Kosovën për mospërmbushjen e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe për siç tha “sabotimin e përpjekjeve paqësore të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian”. Duke folur për dialogun, Selakoviç u shpreh se kërkesa e Prishtinës zyrtare për njohje reciproke tregon mosgatishmëri për të gjetur ndonjë zgjidhje kompromisi. “Duke insistuar vazhdimisht në njohjen e ndërsjellë si pjesë qendrore e dialogut, e ashtuquajtura politikë e reciprocitetit demonstron mungesën e vullnetit thelbësor të lidershipit aktual politik të Prishtinës për të gjetur ndonjë zgjidhje kompromisi”, tha ai.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwartz tha se Kosova ngul këmbë që Serbia t’u përmbahet marrëveshjeve që i ka nënshkruar, përfshirë atë për lëvizjen e lirë dhe përdorimin e targave të makinave. Gërvalla theksoi se kërcënimet për paqen dhe qëndrueshmërinë bëhen nga Beogradi dhe se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar destabilitet në fund të muajit kur edhe përfundon periudha kalimtare për zëvendësimin e targave të makinave. “Serbët ekstremistë po ndjekin dhe po frikësojnë në mënyrë brutale bashkëqytetarët e tyre duke ua djegur edhe veturat që kanë ndërruar targat”, tha ajo.

Gërvalla kritikoi Beogradin për “harmonizim të politikave me Rusinë”, dhe theksoi se “Serbia është bërë kërcënimi i dytë më i rrezikshëm i Evropës, pas Rusisë”. Kjo nxiti reagimin e përfaqësuesit rus Vasily Nebenzya. “E këshillojmë zonjën Gërvalla që të mos përpiqet të filozofojë dhe të bëjë përpjekje të bëjë analiza gjeopolitike të situatës, por të merret me situatën e sigurisë në Kosovë e cila po përkeqësohet”, tha ai.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të shmangin tensionet për targat dhe të arrijnë një marrëveshje e bazuar te njohja reciproke. Ai kërkoi që Këshilli i Sigurimit të nisë procedurat për përmbylljen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, qëndrim i mbështetur edhe nga përfaqësuesi i Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Pas