Dështon përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje, për një qeveri me në krye Glauk Konjufcën, e cila sipas Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, do të qëndronte në detyrë deri në muajin prill. Ekzekutivi i prezantuar prej tij mori vetëm 56 vota pro, 53 kundër dhe katër abstenim.
Deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK e NISMA-s nuk e votuan Konjufcën për kryeministër.
Me dështimin e dytë për formimin e ekzekutivit, hapet rruga për zgjedhje të reja. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Kosova nën qeverisjen e Albin Kurtit nuk është udhëhequr nga arsyeja, duke e akuzuar Kurtin se “po krijon vetëm kundërshtarë”. Ai tha se LVV-ja humbi 15 ditë kohë, pasi nuk ka vota për Qeverinë e Konjufcës, duke e cilësuar këtë seancë si “shfaqje teatrale”.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kritikoi Konjufcën që nuk paraqiti një program qeveritar, duke theksuar se ai përmendi vetëm vitin 2026.Ai tha se LVV-ja “do të shkojë në opozitë” pas zgjedhjeve të reja.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që sa më shpejt të shpallë datën e zgjedhjeve të reja “që të mos humbet kohë e vlefshme edhe më tej”. Ai tha se “e diela e parë brenda 30-ditëshit, afatit kushtetues” është koha për mbajtjen e zgjedhjeve.














