Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra një oficer policie me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Fier.
Raportohet se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj oficerit të policisë Inspektor E.P., me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Fier.
Oficeri i policisë akuzohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Mësohet se ky procedim është ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas dyshimeve se oficeri i policisë, Inspektor E.P. ka kryer veprime korruptive me drejtues automjetesh, duke mos i ndëshkuar me gjobë.