Në Kosovë u regjistruan të hënën gjashtë raste të reja me koronavirus. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tha se këto raste kanë rezultuar nga testimi i 243 mostrave të marra nga Klinika Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga Komuna e Prizrenit, përkatësisht vendbanimi Romajë, thuhet në njoftimin e Institutit. Aty po ashtu bëhet e ditur se dy pacientë janë shëruar nga koronavirusi.
Ditën e sotme, Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njoftoi se një pacient i prekur me koronavirus, ka humbur jetën. Me shifrat e fundt, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 1,038, i të shëruarve në 791 dhe i viktimave në 30.