Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i dorëzoi drejtuesit të OBSH për Shqipërinë, Raul Gonzales, planin e veprimit për masat që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren për koronavirusin.
Nga ana e tij, kreu i OBSH-së i vlerësoi si shumë të mira masat e marra pas konfirmimit të rasteve me COVID-19.
“Masat e marra sot nga qeveria shqiptare janë shumë të mira dhe janë marrë në kohë për të frenuar përhapjen e virusit. Kjo gjë nuk u realizua brenda ditës në Itali, duke humbur kohë për marrjen e masave që janë të efektshme për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, u shpreh Gonzales, në mbledhjen e sotme të Task-Forcës.
Më herët, gjatë ditës së sotme, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u bënë publike dhe urdhërat për menaxhimin e situatës që nga pezullimi i procesit mësimor në institucionet arsimore publike dhe jo publike, vetëkarantinimin e detyruar, anullimin e grumbullimeve masive, e të tjera./Opinion.al