Koreja e Veriut thotë se Shtetet e Bashkuara “janë të prirura për akte armiqësore”, pavarësisht marrëveshjes së ditëve të fundit për të rinisur bisedimet për çështjet bërthamore.
Delegacioni i Phenjanit në Kombet e Bashkuara tha se SHBA-ja është “e fiksuar pas sanksioneve”. Ai po ashtu e akuzoi Uashingtonin për përpjekje për të “dëmtuar atmosferën paqësore” në Gadishullin Korean.
Deklaratat vijnë vetëm disa ditë pasi udhëheqësit e të dyja vendeve zhvilluan një takim historik. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u takua të dielën me homologun e tij koreanoverior Kim Jong-un, në zonën e demilitarizuar që ndan dy Koretë.
Ai u bë presidenti i parë amerikan që shkeli në Korenë e Veriut dhe, pas bisedimeve që zgjatën pothuajse një orë, palët ranë dakord për të krijuar ekipe, që do të rifillonin negociatat për çarmatosjen bërthamore të Gadishullit Korean. Por, deklaratat e fundit të Koresë së Veriut shënojnë një ndryshim toni. / Opinion.al