Bota

Koreja e Veriut lëshon raketë balistike mbi Japoni



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:27 - 04/10/22 |
Opi Nion

Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë mbi Japoni, në atë që shihet si përshkallëzim i qëllimshëm për të tërhequr vëmendjen e Tokios dhe Uashingtonit.

Raketa balistike udhëtoi rreth 4,500 km para se të binte në Oqeanin Paqësor.  Kjo largësi është e mjaftueshme për të goditur rajonin amerikan të Guam nëse raketa do të merrte një trajektore tjetër.

Ky është lëshimi i parë i raketës së Koresë së Veriut mbi Japoni që nga viti 2017 ndërsa bëri që Japonia të lëshojë alarm për disa qytetarë që të strehohen.

OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut të testojë armë balistike dhe bërthamore. Fluturimi i raketave drejt ose mbi vende të tjera pa ndonjë paralajmërim ose konsultim paraprak është gjithashtu në kundërshtim me normat ndërkombëtare.

Shumica e vendeve e shmangin veprime të tilla testimi pasi mund të duken lehtësisht si sulme.

Ndonëse verikoreanët nuk kanë kryer test bërthamor, çka mund të ndodhë në të ardhmen, veprimi i fundit mund të konsiderohet provokues.

Njerëzit në veri të Japonisë, duke përfshirë ishullin Hokkaido, thuhet se u zgjuan nga zhurma e sirenave dhe sinjalizimeve me tekst që shkruanin: “Koreja e Veriut duket se ka lëshuar një raketë. Ju lutemi evakuoni në ndërtesa ose në hapësira nëntokësore.”

Duke qenë se raketa është lëshuar mbi kokat e tyre, ata u paralajmëruan se mund t’ju bien mbetjet e raketës.

Zyrtarët më vonë thanë se raketa balistike me rreze të mesme veprimi ra në Oqeanin Paqësor larg Japonisë dhe nuk raportohet për të lënduar.

Raketa e ka kryer udhëtimin me distancën më të gjatë që ka kryer ndonjëherë një pajisje e tillë verikoreane, dhe ka arritur lartësinë e rreth 1000 kilometrave, më lart sesa Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës.

Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida e përshkroi nisjen si “sjellje të dhunshme”, ndërsa ministri i mbrojtjes Yasukazu Hamada tha se Japonia nuk do të përjashtonte asnjë opsion për të forcuar mbrojtjen e saj duke përfshirë “aftësitë kundërsulmuese”.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Adrienne Watson e quajti atë një “vendim të rrezikshëm dhe të pamatur” që ishte “destabilizues” për rajonin.

Ky lëshim i raketës vjen pasi Japonia, SHBA dhe Koreja e Jugut kanë punuar së bashku për të forcuar mbrojtjen e tyre, në përgjigje të kërcënimit në rritje të paraqitur nga Veriu./Opinion.al

Pas