Katër të rinj nga Kosova janë arrestuar nga policia e Korçës, pasi kanë tentuar të transportojnë 5 emigrantë të paligjshëm, kundrejt pagesës.
Uniformat blu bëjnë me dije se në kuadër të operacionit “Midnight 8”, kanë arrestuar në zonën e Maliqit, 4 të rinj të cilët banonin në Prishtinë.
Sipas informacioneve zyrtare, të rinjtë po lëviznin me 3 makina luksoze, me të cilat do të transportonin kundrejt pagesës, për të kaluar kufirin drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të BE-së, 5 emigrantë të paligjshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjetet, 4 aparate celulare, shuma monetare të valutave të ndryshme.
“Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. P., 27 vjeç; E. S., 22 vjeçe; U. K., 27 vjeç; A. S., 26 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provave të siguruara, ka rezultuar se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do të transportonin kundrejt pagesës, për të kaluar kufirin drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të BE-së, 5 emigrantë të paligjshëm”, tha policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al