Ilir Yzeiraj, avokati i Ilir Beqajt ka folur për mediat lidhur me kontrollet që i janë ushtruar ish-ministrit të Shëndetësisë në banesë. Ai thotë se në banesë i janë sekuestruar kompjuterë, dokumente e celularë, po ashtu materiale të tilla janë sekuestruar edhe në ambientet e tjera të kontrolluara si në farmacitë Delta Pharma apo Natë e Ditë, si edhe në banesa të tjera të kontrolluara në të gjithë anëtarët e SASPAC, një hetim tjetër që tashmë SPAK ka në dorë.
“Vendimi i gjykatës i kishte të listuar emrat e personave, tek të gjithë është bërë kontrolli. Jo të gjithë janë njoftuar për të pasur të drejtën e një avokati të pranishëm. Nuk mund të them detaje për çështjen.
Janë disa çështje që prekin Ilir Beqaj. Nuk komentoj dyshimet që mund të ketë organi i akuzës për s ai përket kontrollit të banesës. Dëshira e Beqaj që të jetë i hapur për hetimet”, tha avokati.
I pyetur se çfarë lidhje ka Beqaj me pronarët e Delta Pharma dhe rrjetin e farmacive Ditë e Natë, avokati nuk komentoi, ndërsa tha se i takon organit të akuzës.
“Se çfarë lidhje ka dhe nëse këto lidhje përmbajnë apo jo elementë të veprës kriminale i takon organit të akuzës. Di që ka pasur kompjuterë, celularë dhe dokumente”, tha avokati.
Avokati tha se kontrollet janë pjesë e një hetimi ndaj një personi tjetër, ndërsa thotë se Beqajt nuk i është komunikuar statusi i personit në hetim. Ai tha se organi i akuzës ka në dorë përgjime ambientale dhe telefonike, por pa dhënë shumë detaje.
“Besoj se po të ishte regjistruar statusin do e jepnin zyrtarisht, nuk e ka marrë këtë status. Ekziston një person tjetër që është në hetim. Hetimi flet për përgjime ambientale dhe telefonike”, tha ai.