Nga ERVIN SALIANJI
Legjitimimi i mosbesimit te politika bazohet së pari në faktin që premtimet para marrjes së pushtetit, apo ai që quhet programi elektoral dhe që valëvitet në çdo miting a tubim si zgjidhja e së ardhmes për shqiptarët, fill sapo merret pushteti zhduket nga çdo “sirtar” dhe konsiderohet reklamë elektorale.
Nëse kjo qeverisje do të mbahet mend për shumë e shumë dëme, më i madhi ndër to është legjitimimi i mosbesimit te fjala e thënë. Shqiptarët sot jo më kot rezultojnë në çdo sondazh që kanë mbetur të gënjyer, gjykojnë veten që dhanë besim, ndërsa çdo ditë e më shumë me këtë qeverisje po u venitet forca për të besuar te fjala e thënë, e cila kurrë gjatë këtyre viteve nuk u bë fjala e dhënë. Programi elektoral i një partie apo grupi partish politike, nuk është as më shumë dhe as më pak por kontrata e ndërsjellë mes palëve, mes popullit si zgjedhës dhe grupimit politik si ofrues i zgjidhjeve për të. Kjo kontratë është një gur themeli, mbi të cilin do të duhej të zhvilloheshin të gjitha diskutimet mbi “ç’po bëhet” dhe “çfarë nuk po bëhet”, kundrejt premtimeve dhe ofertave, që u morën përsipër dhe për të cilat populli dha besimin me votë. Në këto tri vite qeverisjeje, asnjë bilanc midis premtimeve dhe realizimeve nuk është bërë nga kjo qeveri apo koalicion qeverisës. Koalicioni i majtë iu paraqit qytetarëve shqiptarë me një program që në nisje utopik. Programi elektoral PS–LSI për këdo ishte i parealizueshëm. Ai u bazua në një aksiomë të vetme: “Thuaju njerëzve çfarë duan të dëgjojnë se askush nuk mendon që gënjejnë kaq shumë”.
Teoria e gënjeshtrës së madhe, që besohet më lehtë se e vogla, është gati aksiomatike në historinë njerëzore, mbi të janë ngritur shumë skema spekulative, nga ato financiaret tek ato të rrëmbimit të pushtetit. Gënjeshtra e madhe funksionoi për të marrë pushtetin, por çfarë është më e keqja po funksionon për të lodhur besimin e njerëzve deri në nënshtrimin e tyre. Cilat janë faktet që po shkaktojnë atë që pa asnjë dyshim mund të quhet edhe depresion social ekonomik i shoqërisë shqiptare.
Që në prezantimin e parë të projektbuxhetit në Kuvend, qeveria iu shmang çdo premtimi, duke mos përfshirë në asnjë zë të investimeve atë që kishin tubuar nëpër mitingjet elektorale. Fakti që menjëherë pas marrjes së pushtetit, projekt buxheti as që reflektonte premtimet elektorale, është prova e qartë që gjithçka e premtuar para popullit kishte qenë një strategji e paramenduar si mashtrim. Krejt ndryshe do të kish qenë nëse projekt buxheti do t’i kish përfshirë një pjesë të premtimeve, por ato të mos ishin të realizueshme apo të dështonin rrugës. Jo, kjo qeveri e ka ditur qartë gënjeshtrën mbi të cilën ka ndërtuar pushtetin. Jo më kot në atë seancë opozita i paraqiti si amendamente gjithë premtimet e rilindjes dhe jo më kot në atë seancë parlamentare u përplasën dy realitete.
Por ajo që i parapriu në fakt buxhetit ishte vetë ekipi qeverisës. Ndërsa nëpër tubime, Rama shfaqej me një përfaqësim të lartë politik, ekipi i tij ministror la jashtë figurat më të rëndësishme politike që kishin bërë betejën opozitare deri atëherë. Ajo që bëri me bashkëpunëtorët e tij, duke i lënë jashtë qeverisjes, ishte veçse parathënia e asaj që do të bënte me të gjithë shqiptarët që i besuan. Rama e nisi betejën me të famshmen taksë progresive, premtoi taksimin e ndershëm dhe ulje taksash për çdo biznes të vogël.
Sot, çdo biznes pëson taksën e pandershme të rritur, pagesën fiktive mbi numrin e detyruar të punonjësve, taksat e tërthorta për çdo biznes që herëherë janë më shumë se ato të drejtpërdrejtat dhe terrorin e inspektorëve gjobitës, që kanë të drejtë të gjobisin dhjetëra fishin e vlerës së shkeljes. Taksa progresive që do t’i merrte më shumë të pasurve u la në arkivat e regjistrimeve të fushatës, sepse sot gjithkush e di që po gëlojnë favorizimet e oligarkëve të koncesioneve dhe bizneseve familjare, që s’kanë asnjë konkurrencë dhe vjelin çdo gjë nga të ardhurat e shqiptarëve që punojnë ndershëm. S’mund të harrohet odisea e kasës fiskale, apo gjobitjet në masë për bizneset e familjarëve që kërkohej të deklaronin më shumë punonjës seç kishin dhe u duheshin. Nuk harrohen në këtë frymë as reprezaljet e OSHEEsë që ndërprisnin energjinë elektrike nëpër biznese edhe kur faturat ishin të likuiduara, por që administrata e re e OSHEEsë nuk dinte t’i lexonte apo rakordonte në sistem. Rama premtoi uljen e TVSHsë së energjisë elektrike me 12%; rezultati në çdo faturë ajo është rritur për konsumatorët familjarë dhe apo bizneset private. E njëjtë me faturën e papërballueshme të energjisë për qytetarin shqiptar është kosto apo çmimi i naftës në Shqipëri, vendi i vetëm që ka këtë çmim për litër, më të shtrenjtin në rajon dhe Europë për shkak të taksës së re qeveritare!
* * *
Krijimi i 300.000 vendeve të reja të punës ishte ndoshta butaforia më e madhe e atyre premtimeve. Pasi proklamoi me të madhe se Shqipëria ka një milion të papunë, Rama lëshoi premtimin 300 mijësh. Tashmë, në vitin e fundit të qeverisjes së tij, sërish i duhet të pranojë se papunësia e ulur në shifra vjen si pasojë e regjistrimit të atyre që ishin “në të zezë”. Arsyeja e vetme se përse e pranon këtë dështim është sepse të tillë tregues monitorohen nga institucionet ndërkombëtare dhe nuk mund të falsifikosh të dhënat e tyre. E vende të reja pune s’mund të ketë, kur tashmë të gjitha raportet tregojnë për rënie të investimeve të huaja. Jo vetëm që kompani të huaja kanë lënë Shqipërinë, por edhe kompanitë shqiptare po regjistrohen në Kosovë dhe Maqedoni, për shkak të lehtësirave më të mëdha fiskale atje. Koalicioni premtoi rritje te pagave dhe pensioneve dhe rikthimin e pagës së 13të, por edhe kjo rezultoi një flluskë sapuni. Asnjë pagë jo vetëm nuk është rritur, por as është indeksuar siç u bë traditë e zakonshme në ishqeverisjen Berisha. Paga e 13të u transformua në marrjen e pagës së dhjetorit pas ditës së 13 të janarit. Pensionet nga ana tjetër janë treguesi më i pamëshirshëm; në tri vite një pensionisti i është rritur pensioni vetëm sa të blejë 150 gr mish.
Ky fakt nuk meriton as koment. Kërkoi të vinte në pushtet duke folur për vjeljen e të ardhurave. Pas ardhjes në pushtet, kontraktoi kompaninë “Crawn&Agents”, si favor të konsulentëve të tij, me argumentin për të ndihmuar në vjeljen e të ardhurave nga doganat. Përveçse kontrata për supervizimin e doganave shkoi dëm, vetë “Crawn&Agents” largohet duke deklaruar se për shkak të korrupsionit, nuk mund të ketë performancë në doganat shqiptare. Rezultati: 1.1 miliardë dollarë humbje nga doganat dhe tatimet. Para të qytetarëve, që sigurisht mbetet të kenë shkuar në xhepat e qeveritarëve. U premtoi shëndetësi falas, sot në të gjitha sondazhet qytetarët kanë zhgënjimin dhe indinjatën më të madhe me shëndetësinë. Kjo tablo kur qeveria jep 330 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për klientët e vet, për gjoja shërbime shëndetësore që kurrë nuk iu dhanë pacientëve shqiptarë.
Nga ana tjetër, raportet dhe statistikat flasin për një shifër prej 52 milionë eurosh që shqiptarët kanë harxhuar në spitalet private, për shkak të dështimit të sistemit publik. Çdo pensionist pa ndihmë nga familjarët, sot e di që ilaçet e rimbursuara nuk duhet t’i marrë, sepse mjeku e këshillon të mos i tërheqin së nuk përdoren më për ato sëmundje. Në Shqipëri me sistemin shëndetësor Rama ka shumë gjasa që po pastrohen magazinat e ilaçeve të mbetura të botës. Ashtu siç e meriton kjo skemë, në krye të shëndetësisë shqiptare që është sektori më i madh humanitar, rri ulur një ministër i kapur nga gjykata në vjedhje të fondeve publike. Arsim cilësor dhe falas; ky ishte premtimi elektoral. Sot kemi rritje të tarifave për studentët, ulje të cilësisë së arsimit dhe klientelizëm, në futje të teksteve mësimore skandaloze në arsim parauniversitar, apo në punësimin e mësuesit për 3000 euro. Askush nuk e ka harruar Lizën e arsimit në Lushnjë apo Tiranë.
Legalizim falas me 0 lekë do të merrni tapitë; kështu buçisnin altoparlantët elektoralë. Shqiptarët jo vetëm po paguajnë shumëfish të tarifës për legalizimin, por edhe në rastet kur e kanë pasur të legalizuar u është prishur banesa pa asnjë njohje, atje ku dora e (Pu)shtetit ka vendosur të shtetëzojë. Shqiptarët kujtojnë reklamën elektorale të Ramës para kangjellave të burgut, premtonte rend dhe siguri. Sot Policia e Shtetit ka dështuar në të gjitha operacionet e kapjes së krimit të organizuar. “Të fortët” policinë e kanë strehën e tyre dhe shërbejnë si taksidarë të interesave të ministrit. Shqipëria e faktuar me pamje e prova është kthyer në një fermë të madhe me drogë, ku lidhja me trafikantët është biznesi më i zakontë për drejtuesit e policisë.
* * *
U premtua administratë publike profesioniste. Muajin e parë të ardhjes në pushtet u hoqën padrejtësisht nga puna 20 000 profesionistë, të cilët sot enden gjykatave, duke krijuar një kosto të dyfishtë edhe në rastet që fitojnë gjyqet dhe në rastet kur administratës i mungon eksperienca e tyre. Kjo është veçse gjysma më pak e keqe e tablosë; administrata publike sot është e mbushur me të punësuar që kanë dosje me të shkuara kriminale. Listën e gjatë të tyre në postet drejtuese opozita e bëri të ditur për publikun pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit. Mungesa e përgjegjësisë për sjelljen ndaj administratës publike u pa në konceptin e pastër nepotik të emërimit, edhe në nivel ministrash.
Kështu, qeveria Rama ka sot dy ministra me lidhje të afërta me Kryeministrin, siç është Milena Harito, kushërirë e Ramës dhe Blendi Çuçi, bashkëshort i ishgruas së Ramës. 2015 ishte viti që faktoi të vërtetën e reformës së famshme territoriale dhe administrative. Sot nuk ka asnjë bashki në vend, qoftë e majtë apo e djathtë, në logo që të dijë se mbi cilin ligj dhe si po punojnë. Qytetari në çdo pikë ku ndodhet ka rënë si viktima në rrjetën e një shteti që s’dihet se ku do ta marrë ndihmën e asistencën dhe kush e ka në dorë të rregullojë për një shtëpi të pastrehësh, kur do të vijnë ndonjëherë investimet në zonat rurale tani që bashkia në qendër s’di as çfarë kompetencash të mirëfillta ka, por edhe kur i di që i janë lënë detyrat fondet i mungojnë plotësisht.
E gjitha kjo për të bërë një hartë të vijëzimit të Shqipërisë atje ku i binte më mirë për të fituar sa më shumë nga votat e të majtëve. Për të mos shkuar më tej te planet urbane. Të gjitha qendrat e qyteteve janë bërë te tavolina e Kryeministrit sepse e ka çlodhje mendore të përdorë dyqind e ca lapsat me ngjyra që i përdor në çdo reklamë reviste. Shkarravit në letra qendrat e qyteteve e i ngjyros sipas humorit të tij. Incizon detin e Himarës dhe thotë nuk është Jugu i Francës, se deti shpëton për fat nga ndërhyrja me tush me ngjyra. Para pak ditësh, Kryeministri deklaroi nuk ka para për investime publike, duhet t’i kujtojmë premtimet qiellgërvishtëse nëpër fushatë që thoshte vetëm rrugë bënë këta.
Duhet t’i kujtohet që iu lanë të gatshme për t’u përfunduar projektet Tiranë/Elbasan, apo Librazhd/QafëPlloçë, Lin/Pogradec. Rruga e Arbrit pret të bëhet, ajo Milot/Shkodër u paranis etj. Kryeministri e ka kollaj me prepotencë të thotë “nuk ka”. Pronarët, të cilëve u ulej anash dhe përballë në fushatë e u tregonte përrallat se si zgjidhej çështja e tyre, u miratoi ligjin më të rëndësishëm për pronën, ku shpronësimi parashikohet me vlerën e vitit 1946. E bëri këtë duke ndërhyrë deri në Gjykatën e Strasburgut për të luftuar me armiqtë e hershëm të partisë së tij.
* * *
Gjatë fushatës së 2013 u premtua ulja e borxhit publik, bërtitej fort se çdo shqiptar paguan 3000 dollarë në vit për borxhin. Pse sot askush nuk del para shqiptarëve dhe të bërtasë se sa më shumë paguajnë në vit shqiptarët, kur borxhi publik u rrit nga 63% në 74%. Pse askush sot nuk ka këllqe të thotë të vërtetën që ritmet e rritjes ekonomike janë aq të ulëta sa përqindja e rritjes ekonomike është më e ulët se interesi i borxhit publik. Do të mjaftonin shumë më pak se gjitha çka u radhit që një qeveri të dorëhiqej, për një arsye themelore dhe të vetme; paaftësisë dhe dështimit në realizimin e çdo premtimi. Shqiptarët e dinë që ka shumë e shumë për të radhitur në mosbërjet dhe shkatërrimet e kësaj qeverie.
Të gjitha retorikat politike që tentojnë të hutojnë shqiptarin e lodhur nga rrënimi dhe varfëria janë veçse taktika mashtrimi, të njëjta me ato që aplikuan pa marrë pushtetin. Ka një metaforë që u rri si kurorë këtyre taktikave, është marrëveshja që jo më kot daton më 1 prill dhe që jo më kot edhe socialistët e ndershëm e quajnë marrëveshjen e ngjalave. Në të dyja simbolikat populli ka kuptuar rrëshqitjen, mashtrimin dhe pasojën e tyre. Si Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste janë bashkëpërgjegjëse për këtë situatë. Për këdo që mendon se LSIja tregoi përgjegjshmëri kombëtare, duke iu bashkuar opozitës në rastin e Reformës në Drejtësi, kjo nuk i heq asgjë nga përgjegjësia që LSI ka në këtë qeverisje të përbashkët.
LSI nuk mund t’i shmanget asnjë përgjegjësie që ka në qeverisjen e përbashkët apo në mbështetjen që i ka dhënë Ramës për ta kthyer Shqipërinë në fermën e tij të interesave. Madje, sa më shumë theksohet nga disa analistë që LSIja di të luajë politikisht me maturi, aq më shumë i bie barra kësaj partie të japë llogari pse nuk e përdor këtë maturi për të mos lejuar keqqeverisjen e vendit. Në kushtet kur një qeveri nuk reagon ndaj asnjë skandali, në kushtet që kjo qeveri nuk ka asnjë aftësi të ndryshojë situatën, atëherë veprojnë të gjithë mekanizmat e një demokracie konstitucionale; rrëzimi i qeverisë me çdo mjet demokratik dhe pamundësimi për të lejuar regresin e mëtejshëm.
Këtu zgjidhja nëpërmjet qeverisë teknike është një domosdoshmëri për të ndalur rrënimin e mëtejshëm ekonomik, për të qetësuar biznesin, për t’i dhënë siguri juridike investitorëve të huaj, për të ulur borxhin publik, për të rikthyer rendin dhe sigurinë, për të hequr sovranitetin nga duart e bandave dhe për ta kaluar sovranitetin një qeverie të qytetarëve. Qeveria teknike, që prezumon një bashkim profesionistësh nga të gjitha forcat e shoqërisë dhe politikës, është mundësia e vetme për të shpëtuar rrëshqitjen në dishezën e rrënimit të jetës së shqiptarëve.
Një qeveri teknike, që prezumohet si qeveri me përfaqësim të gjerë për shkak të situatës aspak të zakontë që ndodhet Shqipëria, për shkak të deligjitimimit, por edhe kapjes së qeverisë nga krimi i organizuar. Kur një qeveri paralajmërohet nga opozita dhe nga çdo faktor për dështimet, për mosmbajtjen e premtimeve dhe nuk reagon, provon një nga dy arsyet, ose ka interesa korruptive dhe personale, ose është e paaftë; e në të dyja rastet duhet të largohet.