-Kulturë

Kongresi i Lushnjës


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:20 - 21/01/20 |
Geljano Fataj

Kongresi u hap më 21 janar të 1920-ës, në orën 10 paradite. Një pjesë e burrave që kishin mbërritur herët në mëngjes ishin ende të përbaltur. Ata u ngjitwn nëpër kodër drejt shtëpisë së Kase Fugës ku do të zhvillohej kongresi. Asnjë prej 50 përfaqësuesve të 27 qyteteve  nuk e dinte qw po hynin në një ndër mbledhjet më të rëndësishme që do të njihte historia e Shqipërisë.

Kongresi u hap me një minutë zi. Organizatori kryesor i tij, Abdyl Ypi, ish-Prefekt i Durrësit, ishte vrarë më 15 janar, 6 ditë më parë, nga vrasës të paguar prej Mustafa Krujës, Qeverisë së Durrësit dhe me bekimin e italianëve. Atij i kishin vjedhur pothuajse të gjitha aktet e parapërgatitura të Kongresit dhe listat e delegatëve. Daja i gruas së tij, Abdi bej Toptani ishte aty. Ai kishte refuzuar të hakmerrej, duke u shprehur se Shqipëria kishte shumë haqe për të marrë. Pjesa më e madhe e delegatëve vinin drejtpërdrejt nga varrimi, që ishte bërë më 17 janar në Durrësin e kontrolluar nga Italianët. Një manifestim madhështor që sikur dëshmonte edhe suksesin e Kongresit. Trima të armatosur që shoqëronin delegatët endeshin kudo nëpër qytet, ndërsa në periferitë e tij, besnikë të Ahmet bej Zogut 24 vjeçar dhe dy kompani ushtarësh shqiptarë kishin marrë masat që askush të mos hynte në qytet.

Kongresi i Lushnjës mori disa nga vendimet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Të 50 burrat diskutuan për më shumë se një javë. Ai nisi më 21 janar të 1920-ës dhe u mbyll zyrtarisht më 31 janar. Pikërisht këtë ditë, Ministri i ri i Brendshëm, Ahmet Zogu lëshoi një proklamatë për gjithë prefekturat e vendit. Proklamata në thelb thoshte:

Lushnjë 31 janar 1920

Është e ditur prej gjithë popullit që këtu në Lushnjë u mbajt një kongres kombëtar, i përfaqësuar prej gjithë viseve të Shqipërisë, veç Shkodrës, Lezhës dhe Krujës, delegatët e të cilëve të zgjedhur prej popullit të këtyre krahinave nuk mundën t’i mbërrijnë bisedimet.

… Vendimet e kongresit të votuara njëzëri prej përfaqësuesve fuqiplotë të popullit janë:

1-Rrëzimi njëzëri i qeverisë së përkohshme të Durrësit.

2-Zgjedhja e mërgatës shqiptare pranë konferencës së paqes në Paris me këta anëtarë: imzot Luigj Bumçi, Mehmet Konica dhe z.Mihal Turtulli.

3-Zgjedhja e Këshillit të Lartë për të përfaqësuar mëvetësinë e shtetit shqiptar deri sa të vijë mbreti në fron në Shqipëri. U zgjodhën shkëlqesia e tij Aqif pashë Elbasani, z.Abdi Toptani, imzot Bumçi, doktor Mihal Turtulli. 

4-Zgjedhja e kabinetit të përkohshëm në kryesinë e Sulejman bej Delvinës me zëvendës z.Eshref bej Frashërin deri sa të kthehet prej Parisi z.Sulejman beu. Ministri i Punëve të Brendshme u zgjodh Ahmet bej Mati; ministri i Punëve të Jashtme u zgjodh z.Mehmet Konica

5-Formimi i një këshille kombëtare prej 37 këshilltarësh me kompetenca parlamentare.

Të lajmëroni popullin sa më shpejt e të çoni kopjen e shpalljes nëpër katunaritë.

Ministria e Punëve të Brendshme.

Zgjedhja e qeverisë dhe e Këshillit të Naltë, kapërcimi i ngërçit juridik që vinte nga mungesa e mbretit, ndërtimi i një parlamenti të përkohshëm, denoncimi i traktatit të Fshehtë të Londrës dhe kundërshtimi i çdo vendimi diskriminues të Fuqive të Mëdha qenë befasuese për shumë njerëz në Shqipëri. Po aq sa për fqinjët, Fuqitë e Mëdha dhe mbi të gjitha Italinë.

Ahmet Zogu ishte më këmbëngulësi për të ruajtur të drejtën e Princ Vidit për t’u kthyer në Fronin e Shqipërisë, pa e ditur se 5 vjet më pas do të ishte ai vetë që do ta rrëzonte përgjithnjë nga froni dhe më 1928-ën, do të zinte vendin e tij.

Në shkurt të 1920-ës Minisri i Brendshwm Ahmet Zogu mori përsipër të instalonte Qeverinë e Sulejman Delvinës në kryeqytet, në Durrës. Ai e dinte se problemi më i madh nuk do të ishte Qeveria e Durrësit që e kontestonte këtë, por italianët që qëndronin pas saj.

Më 5 shkurt ai njoftoi se qeveria po priste në Kavajë, në gatishmëri për të hyrë në Durrës, ku kontrollonte ende ushtria italiane. Po atë ditë, Gjenerali Raimondo, deklaroi se me urdhër të gjeneral Piacentinit ata nuk mund të hynin në Durrës. Ai dërgoi një detashment mitraljerësh në afërsi të Shkëmbit të Kavajës për të ndaluar çdo mundësi avancimi drejt kryeqytetit.

Ahmet bej Zogu nuk tentoi të përplasej me ta. Një ditë më pas, ai kaloi nëpër rrugët dytësore nga Kavaja në Shijak dhe deklaroi se do ta vendoste qeverinë përkohësisht në Tiranë. Derisa Durrësi të lirohej nga italianët.

Gjeneral Piacentini reagoi sërish. Në zyrën e postës në Shijak mbërriti një telegram që sqaronte se komandanti italian i Tiranës kish mbledhur parinë e qytetit dhe i kish kërkuar atyre që të mos e mbështesnin Qeverinë e Lushnjes. Gjuha dhe toni i tij kishte qenë kërcënues.

Më 11 shkurt, duke shpërfillur gjithë paralajmërimet italiane, qeveria udhëtoi për në Tiranë. Pritja dhe entuziazmi i publikut ishte thuajse i pabesueshëm. Popullariteti i anëtarëve të qeverisë po ashtu. Pas një periudhe 8 vjeçare kaosi, shqiptarët po besonin tek vetvetja. Hyrja në Tiranë e qeverisë ishte triumfuese. Një aparat fotografik e ka fiksuar këtë moment si dhe drejtuesit kryesorë të saj, të rrethuar nga mijëra vetë. Tirana nuk kish as zyra dhe as kushte për t’i strehuar, por siç kish ndodhur edhe në Vlorë më 1912-ën dhe në Durrës më 1914-ën ndërtesat e vjetra të administratës turke u shndërruan në seli të qeverisë. Parlamenti dhe Kryeministria, u vendosën të dyja bashkë në shtëpinë e Zija bej Toptanit (aktualisht selia e Akademisë së Shkencave), njëra në katin e parë dhe tjetri në katin e dytë.

Më 15 shkurt të vitit 1920, pas një kërcënimi të ri italian, qeveria e zgjedhur në Lushnjë dhe e vendosur në Tiranë,  njoftoi Gjeneralin Piaçentinin, se nuk e njihte më qeverinë e Durrësit dhe deklaroi se do përplasej ushtarakisht me të. Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, shpalli mobilizimin e përgjithshëm të popullsisë. Të trembur nga zhvillimi i ngjarjeve, nga mbështetja e madhe e popullatës dhe nga etiketimi “tradhtarë”, 3 përfaqësuesit e qeverisë së Durrësit dhanë dorëheqjen. Po atë ditë ata i dorëzuan arkivin e saj Ministrit të Brendshëm. Ky gjest i befasoi italianët. Ata vendosën të kalojnë nga gjuha e forcës dhe e kërcënimit, tek ajo e diplomacisë dhe reciprocitetit.

Qeveria e Tiranës kish korrur fitoren e parë, që do të pasohej, befas, nga një seri fitoresh, që për nga intensiteti dhe për nga përmasat, kjo fitore nuk është përsëritur në këto 108 vjet të historisë së Shtetit Shqiptar!

Pas tërheqjes së italianëve dhe kapitullimit të Qeverisë së Durrësit, më 20 shkurt të 1920-ës, vetëm 9 ditë pasi ishte vendosur në Tiranë, Qeveria e Kongresit të Lushnjës u njoh zyrtarisht nga gjithë qytetet e Shqipërisë. Por një numër qytetesh, madje ndër më të rëndësishmit, ishin ende nën kontrollin ushtarak të fituesve të luftës, në pritje të vendimeve të Konferencës së Paqes në Paris.

Në 11 mars të 1920-ës, trupat franceze, që kontrollonin Shkodrën, nënshkruan një protokoll me Qeverinë e Tiranës dhe xhandarmëria shqiptare mori në dorëzim qytetin. Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, dhe ai i Drejtësisë, Hoxha Kadria, hynë në qytet si triumfatorë. Trupat serbe që tentuan të hyjnë forcërisht në territor shqiptar u gjendën përballë xhandarëve dhe vullnetarëve të Qeverisë së Tiranës. Ata kishin mbërritur disa orë më parë sesa ushtria serbe të lëvizte në drejtim të qytetit që sërish po diskutohej në Konferencën e Paqes në Paris.

Pak muaj më pas, në 18 gusht kur një numër forcash vullnetare malazeze dhe mercenarësh të udhëhequr nga një person i quajtur Alush Lohja nisën një inkursion kundër Shkodrës për ta bashkuar atë me Mbretërinë e sapokrijuar Serbo – Kroato – Sllovene. Trupat e drejtuara nga ministri i Brendshëm i goditën sërish dhe i shpartalluan. Pak ditë më pas, po këto trupa shpartalluan edhe lëvizjen pro serbe tw Lleshve në Dibër.

Më 27 mars të 1920-ës në Tiranë, u mblodh për herë të parë Parlamenti dhe Kryeministri e ministri i Brendshëm raportuan përpara tij. Asnjëherë një qeveri shqiptare në ato 8 vite nuk kish pasur kaq shumë suksese në 2 muaj.

Më 29 mars të 1920-ës pothuajse e gjithë Tirana kishte dalë në rrugë për të ndjekur një eveniment emocionues. Nga Amerika kishte mbërritur në Shqipëri një batalion me 300 vullnetarë të armatosur. Ata i printe major Aqif Përmeti. Ata qenë dërguar nga Federata “Vatra” për të luftuar për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në krye, printe banda e famshme e “Vatrës”, e drejtuar nga Thoma Nasi. Mbërritja e shqiptaro – amerikanëve e ngriti mjaft prestigjin e Qeverisë së Tiranës. “Vatra” kishte qenë në ato 2 vite një ndër organizmat më aktivë në garantimin e shtetit shqiptar. Më 1920 ajo pati mbledhur një shumë prej 250 mijë dollarë për të financuar delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Një shumë mjaft e madhe për kohën.

Më 24 prill të vitit 1920, duke përfituar nga një lëshim italian dhe nga thirrja e drejtuesve lokalë, Xhandarmëria Shqiptare hyri në Gjirokastër dhe një ditë më pas në Sarandë. Ata pak xhandarë shqiptarë të mbetur nga koha e oficerëve holandezë dhe ata pak oficerë që vinin kryesisht nga ushtria e Perandorisë Osmane, u bënë befas engjëjt mbrojtës të popullatës shqiptare. Hyrja e tyre dhe parakalimi nëpër rrugët kryesore të Shkodrës dhe të Gjirokastrës qe pritur me një besim që shqiptarët nuk e kishin ndjerë më parë.

Më 26 maj të 1920-ës në Korçë u hap fjala se në Follorinë ishte duke u përgatitur një ushtri e vogël greke e cila do të hynte dhe do të merrte në dorëzim Korçën. Në këtë mënyrë, ajo do ta vinte përpara faktit të kryer Konferencën e Paqes që atë moment po shqyrtonte pretendimet e Athinës për kufirin me Shqipërinë. Lajmi kish dalë pasi shqiptarëve u kishte rënë në dorë një telegram që zëvendësdrejtori i Policisë së Korçës, Oliver, i kish nisur drejtorit të tij me leje në Paris, Kapiten Votit. Patriotët lokalë u alarmuan edhe më shumë kur një oficer francez dashamirës iu rrëfeu se komandanti francez mund t’ia dorëzonte qytetin ushtrisë së rregullt greke të Elefteros Venizellosit, sipas një marrëveshje që ky kish bërë me Klemansonë. Nuk u mësua kurrë nëse kjo ishte e vërtetë, apo thjesht një legjendë, por përpara ndërtesës së Prefekturës u mblodhën qindra vetë, myslimanë dhe të krishterë që kërkonin të mbronin qytetin. Ata kërkonin bashkimin e tij me Qeverinë e Tiranës. Një delegacion i kësaj qeverie, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri, Eshref Frashëri, dhe i përbërë edhe nga drejtuesit lokalë, Jorgji Tashi, Nikolla Zoi, Pandeli Cale, Qani Dishnica dhe Salahedin Blloshmi, mbërriti aty dhe i kërkoi komandantit francez që të dorëzonte qytetin. Ai e bëri vërtet dhe trupat greke që ishin gati të kalonin vijën e kufirit u përballën me një kundërshtim të vendosur dhe të prerë të shqiptarëve. Për të mos shkuar më tej me përplasjen, ata kërkuan negociata dhe si pasojë e tyre u nënshkrua në Kapshticë, “Protokolli i Kapshticës”. Ideja e tij ishte që grekët dhe shqiptarët do të qëndronin në kufijtë e vitit 1913, në pritje të një vendimi të Konferencës së Parisit. Deri atëherë të drejtat e të krishterëve në qytet do të ishin të garantuara. Protokolli i Kapshticës u firmos nga Eshref Frashëri. Nënshkrimi i tij i dha legjitimitet të plotë Qeverisë së Sulejman Delvinës. (Pjesë nga libri “100 Vjet” – Blendi Fevziu)

Pas