Një sasi lënde e dyshuar eksploziv është konstatuar rreth orës 14 e 40 minuta poshtë një makine të parkuar në rrugën “Sitki Çiço” në kryeqytet.
Makina ishte parkuar pranë shkollës “Niket Dardani”.
Pronari i saj, Shefqet Rapi, një 50 – vjeçar nga Tirana, ka parë fillimisht se njëri nga xhamat ishte thyer dhe se i ishte vjedhur kasetofoni.
Më pas ka parë një pako të mbështjellë me natriban poshtë sediljes së pasagjerit dhe menjëherë ka njoftuar policinë.
Në vendin e ngjarjes, Policia dhe Forcat Xheniere, bënë të mundur heqjen e pakos nga mercedesi me targa AA 877 GZ dhe çaktivizimin e saj.
Në brendësi të pakos u gjet lëndë plasëse e dyshuar C4, me peshë rreth 400 gramë, si dhe një qark elektronik, që furnizohej nga një bateri.
Dyshohet se Rapi ka konflikte të mëparshme pronësie.
Makina përdorej zakonisht nga djali i tij, 24 – vjeçari Ariel Rapi.
Policia ka nisur hetimet në përpjekje për të zbardhur motivin e ngjarjes.