Një debat me kamarierin për një kafe ka përfunduar me dy të vrarë në Manëz. Ngjarja e rëndë u shënua pranë një karburanti rreth orës 01:45, ku 33-vjeçari Flori Paluçi ka vrarë me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti. Më pas ndaj 33-vjeçarit ka qëlluar një 21-vjeçari Daniel Pepa, duke e lënë të vdekur.
21-vjeçari është shpallur në kërkim, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të zbardhur rrethanat dhe identifikuar nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë.
Mësohet se sherri ka nisur në një lokal, ku të dyja palët konfliktuese kanë qenë prezente. Flori Paluçi bashkë me një tjetër i ka kërkuar kamarierit që t’i bëjë një kafe, por ky i fundit u ka thënë se ekspresi është i fikur. Këtu ka nisur një debat me kamarierin dhe Aranit Kurti ka ndërhyrë në mbrojtje të kamarierit.
Mes tyre ka nisur një sherr verbal dhe më pas me grushte. Paluçi ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar ndaj 23-vjeçarit Kurti që ndërhyri, ndërsa më pas Daniel Pepa ka shkuar dhe ka marrë armën në makinë dhe ka qëlluar ndaj 33-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend.
“Rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se shtetasi F. P. është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, banues në Manëz, ndërsa shtetasi A. K. dyshohet se është vrarë nga shtetasi F. P. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive për kapjen e shtetasit D. P.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe administrimin e çdo prove, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.”, njofton policia.