Është zbardhur e plotë axhenda tre orëshe e sekretarit të Shtetit John Kerry të dielën në Tiranë. Z. Kerry do të mbërrijë në Tiranë, ditën e Shën Valentinit në orën 9.00. Fillimisht ai do të ketë një takim në Rinas me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Më pas Sekretari Amerikan i Shtetit do të pritet në kryeministri nga kryeministri Edi Rama si edhe do të ketë një takim me Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Në përfundim të takimit do të ketë edhe një deklaratë për shtyp.
Më pas axhenda e Kerryt do të vazhdojë edhe me një takim në Hotel Rogner me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndërkohë që në axhendën e Kerryt do të ketë vend edhe për një takim me zv/kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Ajo që bie në sy është fakti që John Kerry nuk ka në axhendën e tij një takim me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Dhe kjo do të jetë hera e parë që një Sekretar Amerikan Shteti i cili viziton Shqipërinë, nuk takohet me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë.