Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka propozuar ditën e sotme që dy salla të Kuvendit të emërohen me emrat Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani.
“Dëshiroj t’ju bëj me dije se kam vendosur që për të nderuar emrin dhe kontributin politik, shoqëror e parlamentar të dy personaliteteve të shquar, të ndarë nga jeta, dy sallave të mbledhjeve në mjediset e ndërtesës së sallës së seancave të Kuvendit, t’u vëmë njërës emrin Bashkim Fino dhe tjetrës emrin Gerti Bogdani.
Bashkim Fino, ish-Kryeministër i Shqipërisë, ish-ministër dhe deputet i Kuvendit për 6 legjislatura, u nda nga jeta në detyrë, si deputet i Kuvendit. Gerti Bogdani, deputet i Kuvendit, për 2 legjislatura, u nda nga jeta në moshë të re. Besoj se kam mbështetjen tuaj dhe të deputetëve të Kuvendit”, u shpreh Spiropali.