Kërkesa e PD për mocionin me debat për kërkesat e protestuesve dhe raportin e Parlamentit Europian është rrëzuar në Konferencën e Kryetarëve pasi nuk arriti dakordësinë. Tashmë kërkesa i kalon seancës për vendimmarrje.
Me thirrjen për të dëgjuar zërin e qytetarëve, deputetët e opozitës thanë në Konferencën e Kryetarëve se parlamenti e ka detyrim diskutimin për kërkesat e protestuesve dhe raportin e Parlamentit Europian. Njëzëri, ata thanë se PE e përmend protestën si shqetësim në raport.
Gazment Bardhi i përsëriti mazhorancës se e ka tmerr debatin pasi “kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund.” Ai sulmoi edhe Taulant Ballën për të cilin u shpreh se “thotë të pavërteta” pasi fillimisht deklaroi se debati do të bëhej, por u spraps pas miratimit të raportit.
Duke iu referuar protestave të PD, Balla akuzoi deputetët se po deformojnë kërkesat e protestuesve dhe po flasin në emër të tyre. Madje i sfidoi që nëse duan dorëheqjen e qeverisë, të bëjnë një mocion mosbesimi dhe të mbledhin firmat.
“Keni ardhur këtu me kërkesat e protestuesve, madje dhe i keni deformuar ato. E para unë nuk iu qas e as ju njoh fare për përfaqësues të protestës. Ju jeni humbësit më të mëdhenj të kësaj proteste. E dyta kërkoni mocion me debat për dorëheqjen e qeverisë. Po keni këllqe dhe fundshpinë hajde bëni mocion mosbesimi, mblidhni firmat dhe caktoni kandidatin tuaj për kryeministër”, i sfidoi kreu i grupit parlamentar të PS.
“Nëse ju, si mazhorancë, kërkoni të silleni kështu, ne si opozitë nuk do ta lejojmë. Ju nuk mund të silleni normalisht në këtë sallë, kur sheshi përpara saj prej 25 ditësh është i mbushur plot me qytetarë që kërkojnë largimin e qeverisë dhe të kryeministrit, dhe që kanë kërkesa konkrete. Zëri i kësaj proteste ka shkuar deri në Parlamentin Europian dhe shqetësimet e tyre janë bërë pjesë e raporteve të fundit të Parlamentit Europian”, tha Jorida Tabaku.
Ndërsa Bardhi u shpreh se mazhoranca s’flet për protestën sepse ‘përgjon’ qytetarët për t’i sulmuar.
“Njëzet deputetë të Parlamentit Europian flasin për protestën në Shqipëri, ndërsa askush nga ju nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë. Por ju nuk keni kohë për këtë, sepse jeni duke përgjuar pas vrimës së çelësit për të sulmuar protestuesit”, tha Bardhi.
Duke e quajtur “absurd” mostrajtimin e protestave në Kuvend, deputeti i PL, Tedi Blushi tha se parlamenti duhet të ketë “kryeaxhendë kërkesat e shqiptarëve.”
















