Rasti që emisioni “Stop” në Tv Klan trajton shtrihet në tre shtete: Shqipëri, Suedi e Slloveni.
Genci Hodo denoncon një shtetas shqiptaro-maqedonas, Alban Mucha, i cili sipas tij menaxhon një kompani transporti me seli në Danimarkë. Albani mori përsipër që të transportonte dy makinat e Gencit, por nuk e bëri. Sipas informacioneve nga shofer, që transportonte automjetet, destinacioni i tyre ishte ndryshuar nga Shqipëria drejt Sllovenisë, ku ishin shitur në një qytezë afër Ljubljanës, në Grosuplije.
Denoncimi i Genci Hodos u bë kur gjeti dy automjetet e tij në Grosuplije tek një vendas, i quajtur Miha Garbas. Pas dy muajsh nga gjetja e makinave të vjedhura në Slloveni, Gencit i vjen një email nga shefi i krimeve Karel Žurga, që thoshte se çështjen e kishte dërguar në Prokurorinë e Ljubljanës dhe kjo e fundit kishte vendosur kthimin e dy makinave te shtetasi slloven që i bleu në të zezë.
Genci Hodo pajtoi një studio ligjore avokatie në Slloveni, e cila u interesua në Prokurorinë e Ljubljanës, ku mësoi se shefi i krimeve nuk e kishte referuar fare në prokurori çështjen e vjedhjes së makinave të tij.
Sot çështja është regjistruar në Prokurorinë e Ljubljanës, por prej 6 muajsh akoma nuk ka asnjë përgjigje mbi ecurinë e këtij hetimi./tvklan.al