Kryetari i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj ka dalë sot në një konferencë për mediat në përmbyllje të mandatit të veprimtarisë së këtij komisioni.
Gjatë fjalës së tij, ai bëri një bilanc të punës së realizuar deri më tani, ku theksoi se Komisioni ka funksionuar me transparencë dhe e ka përmbushur qëllimin e tij.
Sipas tij, komisioni ka pasur në fokus tri sfida thelbësore: zhvillimin, mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit, duke kontribuar gjithashtu në forcimin e sundimit të ligjit.
“Komisioni me dokumentat e hartuara dhe të miratuara adresoi një sërë poblematikash dhe vendosi piketa të qarta aq të domosdoshme për përballjen me 3 sfida kyç të zhvillimit, Mirëqëverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit ,thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Ashtu si dhe nga ana tjetër përmes këtyre dokumentave qartësoi përgjegjësitë për një rol më aktiv të Kuvendit në procesin e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE dhe reformimin e vetë Kuvendit, nisur kjo edhe nga konteksti i zhvillimeve të integrimit europian të Shqipërisë dhe reflektimet ligjore dhe institucionale me sfidat në kuadër të këtij procesi.
Gjithë ky proces i ndërtuar është mbështetur dhe ka garantuar 4 parime themelore që janë: Gjithëpërfshirja, Transparenca, Profesionalizmi dhe Standardet më të mira ndërkombëtare.
Synimi kryesor i komisionit ka qënë dhe besoj se ja kemi arritur përmes metodologjisë së zbatuar që i gjithë ky proces në vetvehte dhe veçanërisht dokumentat që janë hartuar së bashku me propozimet përkatëse të garantojnë standarte europiane si dhe reflektimin në praktikat më të mira të vendeve të BE-së si dhe të jenë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE dhe kriteret për pozicionet negociuese”, tha Xhafaj.