Politikë

Komisioni i ligjeve rrëzon dekretin e Presidentit për “Gjendjen Civile”


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 14:30 - 18/11/20 |
Opi Nion

Ditën e sotme Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar me 14 vota kundër dekretin e Presidentit Ilir Meta për kthim në Kuvend të ligjit për ‘’Gjendjen Civile’’.

Në seancën e sotme të Komisionit të Ligjeve ishte i pranishëm dhe këshilltari i Presidentit i Ilir Metës, Bledar Dervishaj që parashtroi arsyet e kthimit të ligjit ndërkohë nga anëtarët e Komisionit vetëm 1 votoi pro dekretit dhe një abstenim.

Pas rrëzimit, tashmë dekreti do të kalojë për votim edhe në seancën e ardhshme në Kuvend.

“Ligji, nuk synon heqjen e gjobave për shtetasit që nuk deklarojnë banesën, por synon të deformojë listat e zgjedhësve. Ndryshimet në ligjin për gjendjen civile fshehin synimin të çekuilibrojnë numrin e mandateve për secilin qark. Mazhoranca po përdor ndryshimet në ligje për të forcuar pozitat në zonat më pak të favorshme. Do s’postoje militantët drejt zonave ku historikisht ka qenë humbëse. Shpërndarja e mandateve bëhet ekskluzivisht mbi bazën e numrit të shtetasve që kanë regjistruar vendbanimin në secilin qark. Ndryshimi i numrit të shtetasve me vendbanim në secilin qark mund të çojë në ndryshim të përfaqësimit të secilit qark në Kuvend, nëpërmjet uljes apo rritjes së numrit të mandateve përkatës. Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke konsideruar ndikimin e rëndësishëm që mund të ketë në procesin zgjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike.  Procesi i rishikimit periodik të shpërndarjes së mandateve është thelbësisht i lidhur me regjistrimin e vendbanimit të shtetasve. Një situatë e paqëndrueshme, apo që jep hapësirë për regjistrime fiktive kaq pak kohë para zgjedhjeve dhe pikërisht para momentit të rishikimit ligjor të shpërndarjes së mandateve sipas qarqeve, do të cenonte rëndë përfaqësimin parlamentar, procesin zgjedhor dhe besimin politik tek procesi zgjedhor. Ky propozim nga deputetë të shumicës qeverisëse, dhe që nuk vjen nga ministria përgjegjëse që mbulon çështjen, në mënyrën si është formuluar për të lehtësuar lëvizjet në vijim, dhe jo për të lehtësuar qytetarët që nuk kanë deklaruar në kohë, e bërë në një situatë parazgjedhore, krijon një hapësirë më shumë për t`u keqpërdorur për qëllime politike”, ka thënë këshilltari i Presidentit.

Ndërkohë, pas rrëzimit të këtij dekreti, ka ardhur dhe reagimi i Presidencës. Zëdhënësi Tedi Blushi është shprehur se  me vendimin e sotëm Komisioni i Ligjeve, nën presionin politik, humbi dhe grimcat e fundit të etikës dhe profesionalizmit, që duhet të tregojë, kur me votat e tij cakton ligjet e këtij vendi.

Blushi  thekson më tej se pavarësisht manovrave politike, askush nuk do mundet dot të prekë votën e lirë në  25 prillit 2021.

“Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ka shqyrtuar sot Dekretin e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, nr.11812, datë 5.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 130/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 10129, datë 11.5.2009, ‘Për gjendjen civile’, të ndryshuar”. Komisioni i Ligjeve ka kohë, që shfaq shenja të humbjes së qetësisë dhe durimit, ndërsa sot nën presionin politik, humbi dhe grimcat e fundit të etikës dhe profesionalizmit, që duhet të tregojë, kur me votat e tij cakton ligjet e këtij vendi. U duk qartë që Komisioni i Ligjeve nuk donte të humbiste asnjë minutë kohë për të përmbushur qëllimin politik të Rilindjes për deformimin e listave të zgjedhësve dhe shtrembërimin e votës së lirë. Ligji, që Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend, nuk synon heqjen e gjobave për shtetasit, të cilët nuk deklarojnë banesën, por synon të krijojë hapësirë për deformimin në çdo kohë të listave të zgjedhësve dhe shpërndarjes së mandateve në çdo Qark. Presidenti Meta, përmes Dekretit të Tij, i rekomandoi Kuvendit të falte të gjitha gjobat e gjeneruara nga mosdeklarimi në kohë i vendbanimit të ndryshuar, duke ruajtur njëkohësisht qëndrueshmërinë e ligjit dhe detyrimin e qytetarëve për të deklaruar çdo ndryshim në kohë. Por ky rekomandim, i njëjtë me zgjidhje të ngjashme që vetë Qeveria dhe Kuvendi kanë ndërmarrë në fusha të tjera, u hodh poshtë, dhe Komisioni për Çështjet Ligjore nxitoi aq shumë, sa u hoqi të drejtën e fjalës përfaqësuesve të Presidentit të Republikës në dhënien e argumenteve ligjore të kërkuara dhe të vëna në dyshim nga relatorja e ligjit, deputetja Vasilika Hysi. Ky është qëndrim vijues i Kuvendit njëpartiak, veçanërisht pas miratimit të njëanshëm të ndryshimeve në Kushtetutë në 30 korrik dhe Kodin Zgjedhor në 5 tetor. Presidenti i Republikës i bën thirrje deputetëve të Kuvendit njëpartiak të reflektojnë në seancë plenare dhe të mos pranojnë cenimin e së drejtës së votës të qytetarëve, por të miratojnë Dekretin. I ftojmë edhe njëherë deputetët e Kuvendit njëpartiak, të cilët mund të mos jenë njohur me Dekretin e Presidentit, të lexojnë me shumë kujdes arsyet legjitime që ka ngritur Presidenti i Republikës për kthimin e ligjit.”-shkruan Blushi në “Facebook”./Opinion.al

Pas