Parlamenti Europian miratoi sot më 9 korrik raportin për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së, me 502 vota nga 689 të pranishëm.
Por çfarë përmban ky raport?
Në materialin prej 18 faqesh, një vëmendje e veçantë u kushtohet institucioneve të drejtësisë, kryesisht theksohen problematikat e krijuara pas vetingut, të lidhura sidomos me emërimet në dy organet, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Komisioni Evropian vlerëson progresin e Shqipërisë në forcimin e institucioneve kyçe të sundimit të ligjit, në kuadër të reformave të vazhdueshme në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.
Publikimi i Raportit për Shtetin e së Drejtës 2025 për Shqipërinë shënon një moment të rëndësishëm në vlerësimin e progresit të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, duke na vënë në një bazë krahasimi me shtetet anëtare të BE për katër fusha kryesore të shtetit të së drejtës: sistemin e drejtësisë, antikorrupsionin, lirinë e medias dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Drejtësia
Raporti vlerëson progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, përfshirë përfundimin në shkallë të parë të procesit të vettingut dhe miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030.
Është përmirësuar infrastruktura gjyqësore dhe është ndarë buxhet për sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve. Megjithatë, sfida të tilla si mungesa e burimeve njerëzore, koordinimi ndërinstitucional dhe tejzgjatja e proceseve gjyqësore mbeten për t’u adresuar.
Antikorrupsioni
Miratimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe performanca e SPAK në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë janë vlerësuar pozitivisht.
Janë përmirësuar hetimet financiare dhe konfiskimi i aseteve. Sfidat përfshijnë perceptimin e korrupsionit në administratën publike, monitorimin e zbatimit të strategjisë dhe përmirësime të mëtejshme në kuadrin ligjor.
Liria e Medias dhe Pluralizmi
Raporti përshëndet transparencën e rritur mbi pronësinë e mediave audiovizive. Megjithatë, shprehet se punë mbetet për të fuqizuar pavarësinë e AMA dhe të transmetuesit publik, si dhe për të adresuar përqendrimin e pronësisë mediatike, shpërndarjen e reklamave shtetërore dhe presionin ndaj gazetarëve.
Institucionet dhe Kontrolli Demokratik
Gjykata Kushtetuese ka funksionuar në mënyrë efektive gjatë kësaj periudhe. Sfidat përfshijnë cilësinë e procesit legjislativ, polarizimin politik dhe vonesat në emërimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë veprimtarinë të lira dhe udhëzimi i ri për TVSH-në adreson nevojat e shoqërisë civile për një kuadër fiskal ndihmues si dhe raporti ka përshëndetur përgatitjen e projektligjit të ri për vullnetarizmin.
Raporti për Shtetin e së Drejtës 2025 për Shqipërinë ofron një pasqyrë të qartë të progresit dhe na mirorienton në rrugën drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe integrimit evropian për Shqipërinë 2030./tvklan