Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, përsëriti se “Kosova duhet të formojë sa më shpejt institucionet e saj” dhe nënvizoi qartë se “vendi duhet të ketë parasysh se përparimi drejt Bashkimit Evropian lidhet me dialogun me Serbinë”.
Këtë deklaratë Marta Kos e bëri gjatë një debati në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian. Ajo nënvizoi se “Komisioni është i gatshëm të përpilojë mendimin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në BE kur Këshilli të kërkojë një gjë të tillë”.
“Në Kosovë, pas zgjedhjeve të shkurtit, është thelbësore që të formohen shpejt institucionet dhe të shkohet përpara me reformat kyçe në drejtësi, media dhe administratën publike. Një qeveri funksionale dhe një kuvend janë të domosdoshëm në mënyrë që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, tha komisionerja e BE-së.
Kosova, qysh në dhjetor të vitit 2022, ka dorëzuar formalisht kërkesën për anëtarësim në BE, por ajo kërkesë asnjëherë nuk është shqyrtuar nga ana e Këshillit Evropian.
“Komisioni mbetet i gatshëm të përgatisë mendimin për anëtarësimin e Kosovës në BE, kur të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli. Por më lejoni të jem e qartë, rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmesnormalizimit të raporteve me Beogradin e jo përmes veprimeve të njëanshme”, ka thënë Kos.
Sipas procedurave në Bashkimin Evropian, vendet anëtare në Këshill duhet të mandatojnë Komisionin Evropian për të përpiluar mendimin nëse Kosova i përmbush apo jo kushtet për status kandidati. Pastaj, vendimet në bazë të atij mendimi i merr Këshilli, duke vepruar njëzëri nga të gjitha vendet anëtare.