Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi njoftoi sot se kornizat e bisedimeve për negociatat për Shqipërinë do të vazhdojnë në qershor dhe se raporti vjetor pritet që të prezantohet në vjeshtë.
“Unë kam konfirmuar sot se kornizat e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të vazhdojnë në qershor, ndërsa raporti vjetor pritet që të prezantohet në vjeshtë. Kështu që reformat e mëtejshme mund të vazhdojnë dhe parashikimet janë të mira, duke iu përmbajtur rregullave të Covid-19. Momenti i zgjerimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdon”, shkruan Komisioneri i Zgjerimit në Twitter.
Varhelyi u pyet në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian edhe për çështjen e teatrit. Michael Gahler, Eurodeputet (PPE, Gjermani) koordinator për çeshtjet e jashtme e të zgjerimit i grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane pyeti nëse shkatërrimi i godinës së Teatrit Kombëtar nga kryeministri Rama është “shkatërrim i shanseve të Shqipërisë për negociata dhe për t’ju bashkuar Europës?”
Komisioneri Varhelyi në përgjigjen e tij theksoi se vërtet çdo shtet vendos vetë për teatrot e monumentet por jo duke përjashtuar aktorët e rëndësishëm, por duke i përfshirë të gjithë grupet e interesit në konsultim e vendimmarrje.
“I thashë Ramës në telefon se duhej t’ a kishte evituar konfrontimin dhe të kishte shmangur veprime të tilla.”- u përgjigj ai. /Opinion.al