Qazim Mulleti ishte një ndër personalitetet e politikës shqiptare, që kulmin e vet në skenën politike e kishte në vitet 40-të, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte një emër mbi të cilin është hedhur shumë baltë në 45 vjet komunizëm dhe, për fat të keq, edhe sot, 27 vjet demokraci, ende vijon të shahet, fyhet e degradohet.
Midis të tjerash, ai ishte prefekt i Tiranës, nga 17 marsi 1942 – 25 tetor 1944, disa herë me ndërprerje prej disa muajsh. Në shtator 1944, u largua përfundimisht nga atdheu, se ndodhej në listën e të dënuarve me vdekje nga shtabi qendror i komunistëve, duke lënë pas gruan e tij Hajrien dhe të birin, Reshitin, për të cilët nisi një kalvar i vërtetë vuajtjesh, i parrëfyer, një tragjedi më e vete.
Mbi këtë personalitet, Besim Levonja, i ardhur nga radhët partizane, dramaturgu dhe aktori i Teatrit Popullor, që nga viti 1945, ndërtoi komedinë e tij të famshme, “Prefekti”, e cila u vu në skenë nga kjo trupë, në vitin 1948. Komedia ishte një degardim, një tallje e nëpërkëmbje e personalitetit të Qazim Mulletit, por mbi të gjitha një fyerje e tallje e madhe për Hajrien dhe Reshitin, që ishin personazhe realë.
Edhe pse komedia pati shumë sukses gjatë regjimit komunist, ajo, si vepër letrare nuk u ngrit kurrë as në lartësinë e “Karnavaleve të Korçës” e të ndonjë vepre tjetër, sepse Besim Levonja, kishte dashur të që të vriste me një gur dy zogj, edhe të korrte sukses, duke shfrytëzuar popullaritetin e Qazim Mulletit, edhe t’i bënte qejfin regjimit, duke sharë e fyer Qazim Mulletin, i shpallur armik nga regjimi. Për koincidencë, Besim Levonja ishte liruar nga burgu fashist, gjatë kohës së tij të ilegalitetit në Tiranë, në 1942, me firmën e Qazim Mulletit, por që tani ia “shpërblente” në këtë mënyrë.
Nuk e di a pyeti ndonjëherë se çfarë bëhej me personazhet realë të kësaj komedie dhe, nëse e dinte, a e ka vrarë apo jo ndërgjegja ndonjëherë për këtë që bëri? Vështirë të besohet se po! I vetmi njeri që kërkoi fajle publike dhe që e vret edhe sot ndërgjegja, është aktori i madh Robert Ndrenika, që aspak për faj të tij, por të pjesës, është bërë edhe ai pjesë e lojës dhe gjithë kësaj tragjedie të familjes Mulleti. Por Ndrenika e intepretoi rolin vonë, shumë vonë, në 1974. Komedia u dha me qindra herë, ishte në repertorin aktiv të TK, për afro 30 vjet, nga 1948- 1975-76, derisa u regjistrua në vitin 1976 nga TVSH.
Komedinë e rivunë në skenë trupa të tjera profesioniste e amatore, si p.sh ajo e Durrësit, me aktorin e shquar Nikolin Xhoja. Për këtë kontribut Besim Levonja u nderua me titullin “Hero i Punës Socialiste”. Shkroi disa drama të tjera, pa ndonjë sukses, sikurse interpretoi edhe disa role në skenë dhe ekran, por edhe ato nuk shenuan kulm artistik. Vdiq në 1968.
Pas të qeshurave dhe humorit në skenë, në jetën reale personazhet e kësaj komedie, Hajria dhe Reshiti, jetonin ferrin e vërtetë komunist, një tragjedi e pashembullt.
Hajria u lind në vitin 1908 në një familje nacionaliste, patriote. Të gjithë ishin universitarë. Ajo u fejua me Qazim Mulletin, që ishte emigrant politik, antizogist, nga 1924-1939. Në vitin 1929 u martua me Qazimin në Vjenë dhe pas një viti i lindi djali, Reshiti. Ajo jetoi e vetme, deri në 1939, kur u kthye Qazimi nga emigracioni. Jetoi me Qazim Mulletin deri në 1944, për 6 vjet, shumë pak për të qenë e lumtur. Në moshën 36-vjecare mbeti përsëri vetëm me djalin, pas ikjes së Qazim Mulletit, i cili besonte se “regjim nuk do merrej me gruan dhe djalin e tij, kishte punë vetëm me të”. Në fillim Hajries i pushkatuan vëllin e madh, Abdullain, se ishte antikomunist.
Në 1945 e internojnë së bashku me Reshitin, 15-vjeçar në kampin e Tepelenës, me shumë bashkëvuajtës të tjerë. Motrat e vëllezërit i vdiqën kur ajo ishte në internim e nuk i pa më. Jetoi e punoi me nder, nuk kërkoi lëmoshë e asnjë favor nga komunistët, e nuk u nda asnjë moment nga i biri, derisa dha shpirt në internim, në Savër të Lushnjës, më 6 maj 1980. Tre vitet e fundit të jetës përjetoi një sklerozë të rëndë. Vdiq në barrakën prej llamarine e dërrase në baltën e Myzeqesë. Kjo grua me shtat të imët, një figurë fisnike e burim dashurie për familjen e saj, u bë objekt talljeje në komedinë “Prefeki”. Nuk ishte aspak e drejtë e njëjerëzore të talleshe me dy qenie njerëzore që jetonin në gulagun e Shqipërisë socialiste.
Reshitit,që i mungoi dashuria e të atit, nuk ishte ai Reshit i komedisë që tallej e fyente të atin, por një njeri i urtë, i brishtë dhe shumë i ndjeshëm e i dashur. Vetëm 6 vite jetoi me të atin, por vuajti 60 vite për shkak të tij. Mbas vitit 1944, nënë e bir i kishin arrestuar disa herë, duke i bërë presion që t’u grabisnin pronat, ndërsa Reshitin e akuznin se shkruante parrulla antikomuniste. Reshiti tregonte: “Kur u shfaq komedia “Prefekti” unë me nënën time ishim në shtëpi, po e dëgjonim në radio. Nëna ime u revoltua shumë … Të nesërmen e premierës, kur dola nga shtëpia për të shkuar në shkollën “Qemal Stafa”, ku vazhdoja gjimnazin, të gjithë më shikonin si të habitur e kuriozë. Kur vajta në shkollë, më rrethuan të gjithë të habitur, sikur të isha një personazh filmi. Në orën e rusishtes, mësuesja ruse lexoi apelin e klasës, kur thirri emrin tim Reshit Qazim Mulleti, ajo shtangu dhe pyeti:
“Emër i vërtetë ky?”
Por nxënësit e klasës iu përgjigjën në kor: “Po, po, ky është Shiti i komedisë!”. Mësuesja shtangu, u habit e iu duk çudi. Më afroi pranë vetes, më foli me shumë dashuri, më qëndroi pranë dhe iu duk shumë padrejtësi, se si mund të prëdoreshin emra realë në një komedi?!” Të nesërmen erdhi kamioni e na mori, na dërguan në internim, në kampin e Tepelenës…”. E gjithë jeta i kaloi në kampe, në kushte të këqija, tmere të vërteta, trajtim çnjerëzor. “Nënën e kanë torturuar shumë, ndërsa mua më fusnin në fuçi me ujë të ftohtë, shpesh më futnin edhe kokën në ujë…
Mbasi na grabitën çdo gjë, na dërguan përsëri në Tepelenë, më pas në Fier, në Lushnjë, në Savër, në Gradishtë, Grabian… Çdo kamp të ri e kam “inauguruar”…” Gjithë jetën e kaloi pa liri, nuk kishte të drejtë as të lëvizte nga kampi, pa marrë leje. E përcolli nënën e tij për në banesën e fundit, vetëm me dhjetë vetë. Por edhe aty, në varr, nuk e lanë rehat. Djali i një oficeri të vdekur protestonte se nënë Hajria u varros pranë të atit dhe kjo për të nuk ishte e drejtë!! Ku kishte arritur racizmi klasor, komunist!
Jetën e mbetur, deri në ardhjen e demokracisë e kaloi në vetmi dhe mjerim të plotë. Ai nuk krijoi familje. Mbeti përherë një tip i heshtur, i imët, me sy melankolikë, plot vuajtje. Në vitin 1992 u rikthye në Tiranë, shtëpia e tij ishte e shkatërruar, e zaptuar nga njerëz të huaj. Tashmë i kishte kaluar të 60-at dhe përherë shfaqej i lodhur, i dërrmuar nga vuajtjet e mjerimi.
Gjithmonë tymoste cigaren që nuk e harroi asnjëherë… pa pushim… Jetoi në familjen e Tanush Mulletit, njeriu që u përkujdes për të deri në çastet e fundit. Vdekjen e pati të menjëherëshme, infarkti, i pushoi zemra. Duroi shumë edhe ajo. Mori fund jeta e tij i mundimshme, e lodhshme. Keshtu u shua, njëri pas tjetrit, familja e madhe e Qazim Mulletit; në fillim Qazimi, në 1956, më pas Hajria në 1980 dhe në fund, i biri, Reshiti, në mesin e viteve 2000. Kjo ishte saga e vuajtjeve të Hajries e Reshitit, një vuajtje e pashembullt e njëherësh, një persekutim e fyerje deri në dimbje! “360grade.al”