Një ditë pas pretendimeve në disa media kosovare se shqiptarët që luajnë në Zvicër u penguan nga FIFA për të kaluar drejt përfaqësueses së Kosovës, trajneri Vladimir Petkoviç shprehet se askush prej tyre nuk u detyrua që të qëndronte te Zvicra.
Petkoviç thotë se ishte i sigurtë për qëndrimin e Valon Behramit dhe Granit Xhakës dhe se lojtarët e kishin bërë me kohë zgjedhjen e tyre. “Në ditën e sotme, Valon Behrami ka zgjatur karrierën e tij ndërkombëtare pa e detyruar askush që ta bëjë një gjë të tillë. Valoni “jeton”: për këtë kombëtare të Zvicrës. Unë nuk kam dyshuar kurrë te përkushtimi i tij, njëlloj si te ai i Granit Xhakës”, ka thënë ai për median zvicerane “20min.ch”.
Ndërsa për Shaqirin, ai thekson se do të mungojnë në sfidën ndaj Portugalisë më 6 shtator për shkak të dëmtimit.
Një ditë më parë mediat kosovare raportuan se Shani Tarashaj dhe Xherdan Shaqiri kishin shfaqur dëshirën e tyre për të luajtur për Kosovën, por kërkesa e tyre nuk u pranua nga FIFA për shkak se kishin luajtur ndeshje zyrtare me Zvicrën, pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe në FIFA. Por deklarata e trajnerit të Zvicrës duket se thotë të kundërtën e pretendimeve se lojtarët u penguan që të zgjidhnin Kosovën.