Kopertina e kësaj të premteje e prestigjiozes sportive italiane, “La Gazzetta dello Sport”, nuk mund të të lërë indiferent, aq shumë më pak tifozët e Atletico Madrid. Kjo e përditshme sportive italiane e krahason figurën e Diego Pablo Simeone me Ernesto Che Guevara, dhe vendos titullin e madh: “Komandanti Simeone! “Cholismo” është revolucion kundër “tiki-taka”. Kjo e fundit njihet si filozofia e lojës së Barcelonës, e “mbjellë” nga Johan Cruyff dhe e vazhduar nga pasuesit e tij në stolin katalanas, çka derivoi në një dominim total të Blaugranave në futbollin spanjoll dhe më gjerë.
Atletico Madrid e eliminoi Barcelonën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, këtë sezon, ndërsa të mërkurën mundi Bayern Munich në ndeshjen e parë gjysmëfinale po të këtij kompeticioni. Kësisoji, Simeone dhe të tijtë mposhtën ndoshta dy ekipet, që më së miri mishërojnë stilin e prekjes dhe posedimit të topit, “tiki-taka”. Nga ana tjetër qëndron Atletico Madrid, me luftëtarët e tij dhe stilin e të mbrojturit pothuajse të patëmetë. Një stil që merr vlerësime maksimale, sa këtë të premte e tregon edhe “La Gazzetta dello Sport”.