Kokaina e sekuestruar në trajlerin e bananeve rreth një muaj më parë ndodhet prej ditësh në pritje për të përfunduar analizat. Ndërkohë që për gjysmën e sasisë rezulton se ka përfunduar ekspertimi kimik.
Në bazë të analizave laboratorike që synojnë të zbardhin përbërësin e saj rezulton se kokaina është 90 % e pastër.
Sasia e 613 kilogramëve është transportuar në Laboratorin Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme ku ekspertimi kimik po bëhet me anë të gazkromatografit, një aparaturë moderne që përcakton pastërtinë e lëndës narkotike.
Përpunimi nënkupton përzjerjen me lidokainë, paracetamol dhe elementë të tjerë për të përfituar trefishin e sasisë mbi bazën e së cilës u bë përllogaritja e vlerës prej 180 milionë euro.
Burimet bëjnë me dije se është marrë nga një mostër për cdo pako për tu përcaktuar përqindja e pastërtisë kimikisht.
Paralelisht me këtë proces po kryhet edhe procedura e marrjes së shenjave të gishterinjve dhe gjithcka do të gjendet do tu cohet homologëve kolumbianë, maltezë dhe italianë pasi kokaina kaloi në këto shtete përpara se të mbërrinte në Shqipëri.
Në fund, kur e gjithë faza hetimore të ketë përfunduar, kokaina do të grumbullohet në repartin 100 në Mullet, ku do të ruhet nga Policia e Shtetit, deri në përfundimin e të gjitha hallkave të procesit hetimor dhe gjyqësor dhe më pas lënda narkotike do të asgjesohet./OraNews