Intervistë për Opinion.al nga Albin Kurti
1.A mund te konsiderohet i mbyllur aksioni i opozitës në Kosovë?
Jo. Opozita vazhdon të jetë e vendosur në qëllimet e saj për të ndaluar marrëveshjet e dëmshme për ‘Zajednicën’ e Komunave Serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi i cili ia fal atij 9.000 hektarë tokë të Kosovës. Nuk do ta ndalim aksionin opozitar deri në momentin kur kryeministri të vendosë të tërhiqet, e nëse jo, do ta detyrojmë ta sjellë ligjin për referendum në Kuvend ose ta çojë vendin në zgjedhje. Që të rrojë Republika ose duhet të bjerë ‘Zajednica’ ose Qeveria. Nuk mund të ketë vijim të rutinës institucionale, a thua se asgjë s’ka ndodhur, ndërkohë që Kosovës i cënohet integriteti i saj territorial dhe e ardhmja e saj si shtet sovran. Është dashur që Kuvendi të jep leje për kryeministrin e Kosovës Mustafa me 25 gusht që ai të bisedojë më kryeministrin e Serbisë Vuçiq psh. me 11 shtator 2015. E jo anasjelltas: Mustafa të bisedojë, negociojë e të merret vesh me Vuçiqin me 25 gusht, ndërsa neve të thotë se me 11 shtator do të vijë për informim në Kuvend! Në një shtet demokratik edhe mund të mjaftojë debati, por në një vend gjysëm autoritar si Kosova, qartazi nuk bën pa aksione simbolike e demonstrata popullore. Në fakt, në shtetet demokratike as nuk vie një situatë si kjo e Kosovës tani.
2. Çfarë kushtesh u plotësuan që tashmë seanca zhvillohet normalish?
Nuk u plotësua ndonjë kusht. Vendosëm si opozitë që të lejojmë zhvillimin e seancës ku u votua MSA-ja mes Kosovës dhe BE-së. Ne ishim shumë kritikë ndaj kësaj MSA-je, pasi është tepër e ndryshme nga MSA-të e vendeve të tjera dhe e bën integrimin e Kosovës në BE të varur nga Serbia. Avionit Prishtinë-Bruksel, MSA-ja ia bën një ‘connecting flight’ në Surçin të Beogradit! Megjithatë, vendosëm të mos e bllokojmë këtë seancë, për t’i dhënë një sinjal të forte partnerëve perëndimorë të Kosovës se ne, si opozitë, po ashtu jemi të përkushtuar për marrëdhënie të mira me ta dhe për forcim të shtetit e të institucioneve në Kosovë. Agjenda jonë nuk është agjendë kundër integrimit.
Por, nuk mund të pranojmë gjithçka, ka vija të kuqe të cilat asnjë shtet nuk mund t’i shkelë sepse dëmton vetveten. Ky është edhe rasti ynë.
3. Duket se virusi ‘veza’ preku dhe Shqipërinë. Është ky një frymëzim nga VV?
Të protestuarit nuk është virus apo sëmundje. Përkundrazi, është shenjë e shëndetit dhe e jetës në një shoqëri. Sipas meje shoqëritë ku nuk protestohet janë shoqëri të sëmura.
Të protestuarit me vezë apo gjëra të ngjashme fillimisht i kemi parë në televizione, nga vendet perëndimore. Edhe sot e kësaj dite ngjarje të tilla ndodhin në vendet të cilat i marrim shembull për demokracinë, qytetarinë dhe për zhvillimin e tyre. Kështu që, nuk është VETËVENDOSJE! ajo që shpik apo frymëzon, mendoj se shembuj protestash, me vezë apo edhe me gjëra të tjera, sidomos kohët e fundit, ka me shumicë në perëndim.
Sigurisht, nuk dua të them se protesta është gjithnjë e vetëjustifikueshme, apo që është një farë cirku demokratik. Protesta është mjet demokratik, por nuk është legjitime të protestosh për gjithçka e gjithnjë. Protesta legjitimohet vetëm atëherë kur pushteti nuk të dëgjon, nuk të përfshin, të përjashton dhe vendos për ty pa të marrë parasysh. Kjo psh. ka ndodhur në Kosovë, ku pushteti ka vendosur për këto dy marrëveshje kaq të dëmshme që prekin gjithë popullin e Kosovës, madje prekin edhe ata që ende s’kanë lindur, e megjithatë nuk e ka përfshirë në vendimmarrje as qytetarinë e gjerë, as opozitën parlamentare. Po flasim për kantonizim e federalizim sipas modelit të Bosnjës, e cila 20 vjet pas luftës vazhdon të jetë shtet i dështuar që pritet të pëlcasë. Një kantonizim e federalizim i tillë nuk mund të bëhet pa pyetur se ç’mendon populli. Normal që vendime të tilla despotike do të hasin në protesta, kjo do të kishte ndodhur kudo në botë dhe është tërësisht legjitime.
4. Ka patur akuza që disa nga aktivistët që u përfshinë në hedhjen e vezëve në Tiranë ishin të VV…
E kemi sqaruar se nuk ka pasur asnjë aktivist të VETËVENDOSJE!-s pjesëmarrës në atë akt. Po ashtu e kanë sqaruar vetë protagonistët, që nuk kanë patur lidhje me VETËVENDOSJE!-n. Është e kotë të zgjatemi në sajesa e shpifje mediatike të nivelit të ulët, të cilat janë bërë me qëllimin e vetëm që të provokonin një mosmarrëveshje mes kryeministrit të Shqipërisë dhe VETËVENDOSJE!-s në mënyrë që pastaj të thoshin “ja, VETËVENDOSJE! ka probleme edhe me kryeministrin e Shqipërisë”. S’ke ç’komenton për lojëra të tilla, që as fëmijët nuk i luajnë më.
5. A mund të krijohet një epidemi ‘hedhjesh vezësh’ si përpjekje për të luftuar
klasën politike në Shqipëri dhe Kosovë?
Edhe një herë, nuk më duket që ka ndonjë ‘epidemi’, madje nuk besoj se kjo është mënyra më e mirë për të etiketuar protestat. Ne shqiptarët jemi popull me kulturë përgjithësisht më konservatore, dhe si pasojë protestojmë shumë më pak se popujt e tjerë. Nëse sheh vetëm muajin e fundit, protestohet në Londër, në Lisbonë, në Athinë e Berlin. Në Shqipëri e Kosovë, po të gjykosh nga varfëria, nga mungesa e zhvillimit, nga mungesa e perspektivës, e po të krahasosh me Evropën, protestohet shumë pak. Kjo
tregon se jemi shoqëri ende e paçliruar, e nënshtruar, madje e ndrydhur, e cila prodhon dhe fuqizon pushtete autoritare. Kjo gjë i pengon demokracitë tona. Ndoshta protestat mund të jenë një lloj kritike e ashpër për udhëheqjet politike në vendet tona, por mungesa e protestave është një luftë ndaj demokracisë.
6. Në Shqipëri grupimi që ndërmorri këtë aksion njihet për qëndrimin pranë ekstremit majtas. Ndodh kjo dhe në Kosovë?
Shpeshherë pushtetet autoritare përdorin etiketa e kategorizime ndaj kundërshtarëve për t’i përjashtuar ata e për të mos iu përgjigjur argumenteve të tyre. Të tilla etiketa shpesh janë ato të ekstremizmave të djathtë e të majtë e kështu me radhë. Mua nuk më pëlqejnë këto etiketime, dhe mendoj se një politikë mendjehapur është ajo që dëgjon argumentin e
tjetrit, dhe jo ajo që përpiqet të kategorizojë tjetrin për ta skualifikuar.
Në Kosovë nuk ka parti ekstremiste. Lëvizja VETËVENDOSJE! është një parti
socialdemokrate, e qendrës së majtë. Ka njerëz dhe grupime jashtë VETËVENDOSJE!-s që janë më të majtë se ne dhe që na kritikojnë për centrizmin tonë, por nuk mendoj se ka ekstreme as midis tyre.
Kjo është edhe çështje e ideologjisë që i përket ai që kategorizon. Sigurisht, të kërkosh arsim të lartë publik edhe falas sot, për një neoliberal dogmatik, mund të duket ekstremizëm. Por në fakt është një kërkesë tipike socialdemokrate, kejnsiane apo neokejnsiane. Arsim të lartë publik falas sot ka edhe Gjermania, edhe vendet skandinave. Asnjëri prej këtyre vendeve nuk mund të quhet “ekstrem i majtë”, nëse duam të ruajmë një farë serioziteti në përdorimin e termave. Por për fanatikët e neoliberalizmit, ekstrem është gjithçka që nuk përkon me dogmën e tyre.
7. Është kjo një nga mënyrat e bashkëpunimit mes shqiptarëve mes dy kufijve?
Të protestuarit është një nga mënyrat e të qenit europian. Të shtypurit e protestave, frikësimi i protestuesve, sharja dhe ofendimi i tyre nëpër media, apo përqeshja e argumenteve të tyre janë më shumë mënyra të të qenit pjesë e ndonjë despotati apo monarkie absolute, nga ato që sot numërohen me gishta në gjithë botën, e që në Evropë nuk ka më të tilla.
Shqiptarët do të kenë një demokraci më të shëndetshme dhe një spektër më normal politik kur ta tejkalojnë tërësisht ndarjen. Në të gjitha aspektet e në të gjitha mënyrat.