Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar mbrëmjen e sotme nga qelia, në lidhje me koalicionin opozitar “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shprehet se ky koalicion është në funksion të fitores dhe ndryshimit të shumëpritur.
Meta u bëri thirrje edhe një herë të gjithë emigrantëve që të regjistrohen në këto orë të mbetura me qëllim për të votuar më 11 maj.
Reagimi i Ilir Metës:
Falenderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që miratoi sonte me unanimitet marrëveshjen për hyrjen në koalicionin opozitar gjithëpërfshirës “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Në funksion të Fitores dhe Ndryshimit të shumëpritur më 11 Maj, çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë, brenda por edhe jashtë vendit, do të japë kontributin e tij maksimal për shkuljen nga themelet të Narkoshtetit të kalbur, të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë.
U bëj thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tanë në diasporë, që në këto orë të mbetura të regjistrohen për të votuar më 11 Maj për të ndëshkuar sektin që dëboi mbi 1 milion shqiptarë në emigrim dhe që nga paniku po tenton çdo manovër për të penguar votën e tyre.
Vota masive e shqiptarëve për koalicionin gjithëpërfshirës opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të sjellë Ndryshimin. FITORE!