Aktualitet

KLSH i kërkon Prokurorisë të hetojë ish-drejtoreshën e ARRSH, Sonila Qato


               Publikuar në : 19:16 - 28/01/20 |
Al Do

Kontrolli i Lartë i Shteti ka depozituar indicie për kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj ish-drejtoreshës së ARRSH, Sonila Qato dhe 3 anëtarëve të Komisionit të vlerësimit të ofertave (E.G, S.P dhe E.S).

Sipas raportit të auditimit të KLSH për periudhën 1 Janar 2017 – 31 korrik 2019, janë konstatuar shkelje dhe dëm ekonomik dhe për këtë arsye është kërkuar hetim i thelluar nëga ana e Prokurorisë, kryesisht me ligjshmërinë prokurimit të rrugës Kardhiq – Delvinë, Loti 7.

Si fillim KLSH evidenton se ARRSH ka shkelur ligjin pasi nuk i ka vënë në dispozicion ekipit të auditimit në dy raste dokumentet që nuk gjenerohen nga sistemi elektronik dhe kjo e ka detyruar atë të përqendrohet vetëm në dokumentacionin e gjeneruar nga sistemi elektronik i prokurimeve.

Nga analiza e tyre KLSH-së i rezulton se ARRSH ka skualifikuar në mënyrë të padrejtë një nga kompanitë garuese në këtë koncesion pasi dokumentacioni i tyre ishte i rregullt dhe oferta rreth 6 miliardë lekë më e ulët çka duhet ti shpallte ata fitues.

U konstatua se, dokumentacioni i paraqitur nga ky  operator plotëson të gjitha kërkesat ligjore dhe kërkesat e veçanta të vendosura në DT. Për pasojë, KVO duhej ta kualifikonte këtë bashkim operatorësh për fazën tjetër të shqyrtimit të ofertës ekonomike. Dhe meqenëse, ky bashkim operatorësh kishte paraqitur ofertën ekonomike në vlerën 1,789,598,000 lekë e cila është më e ulët se oferta e operatori tjetër i kualifikuar  “I.&.S.&.V.&.A&E”, duhej të klasifikonte i pari në renditje dhe duhej ta shpallte fitues, pasi oferta ekonomike e tij ishte në vlerë më të ulët me diferencë prej  611,675,104 lekë. Kështu do të eliminohej dëmi ekonomik në vlerën 611,675,104 lekë me TVSH nga skualifikimi i pa drejtë i këtij bashkimi operatorësh ekonomik.”, shkruhet në raportin e KLSH.

ARRSH rezulton të jetë gjithashtu në shkelje pasi sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk ka bërë rikualifikimin e operatoreve në kundërshtim me vendimin e  Komisionit të Prokurimit Publik i cili vendosi “të pranojë ankesën e paraqitur nga ky bashkimi i operatorëve ekonomikë; Autoriteti Kontraktor të anulojë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertës për skualifikimin e BOE; të korrigjojë shkeljet e konstatuara, duke e kualifikuar BOE “Gj.&.C&.G&.G”.

“Duke i konsideruar çështjet/veprimet e përmendura më sipër, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme KLSH i ka përcjellë me shkresën nr.363/16, prot. datë 28.10.2019, indicie për kallëzim penal, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.”, theksohet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Por situata për ish-drejtoreshën e ARRSH nuk bëhet më e lehtë pasi auditimi i KLSH ka konstatuar parregullsi të tjera të cilat i kanë sjellë dëm ekonomik shtetit.

Kështu është konstatuar se ka mangësi të procesin e menaxhimit të riskut çka ka sjellë “mangësi në performancën e buxhetit dhe thesarit” duke bërë që në çdo fund viti, “ARRSH të trashëgoj të njëjtin borxh ndaj subjekteve që shkon nga 3 miliard lekë në 4 miliard lekë.”

Në disa procedura prokurimi janë bërë skualifikime të operatorëve ekonomik “me oferta me të ulta se fituesit që shkojnë në vlerën totale rreth 4.4 miliardë lekë.”

Gjatë vitit 2018 në  kundërshtim  me Ligjin 152/2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar, janë dhënë shpërblime punonjësve të ARRSH-së, me arsyetimin e ndryshimit të statusit të  tyre nga nëpunës civil, në  punonjës që  marrëdhëniet juridike që rregullohen në  bazë  të  Kodit të  Punës.  Vlera e këtyre shpërblimeve në dëm të buxhetit të shtetit është  51,239 mijë lekë”, konstaton KLSH.

Ish-drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato dha dorëheqjen në 19 shtator të vitit të shkuar pikërisht pas akuzave nga kompania “Gjoka Konstruksion” lidhur me tenderin e ndërtimit të tunelit në aksin Kardhiq-Delvinë.

Gjoka Konstruksion u gjend nën akuzë se ka dhënë dokumente të rreme për të fituar një tender me fond limit 19.3 milionë euro, ndërsa iu përgjigj kësaj akuze me një kundërakuzë tjetër të rëndë, atë të manipulimit të tenderit nga ana e Drejtoreshës së Përgjithshme të Rrugëve, Sonila Qato për llogari të një kompanie konkurrente, me dëm afro 4 milionë euro në kurriz të taksapaguesve.

Mbi këtë mjedis akuzash dhe kundërakuzash të rënda, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi papritur se tenderi për segmentin e fundit të rrugës Kardhiq-Delvinë për momentin do të shtyhet për shkak se qeveria “ka prioritete të tjera”.

Por mesa duket ky tender nuk ishte problemi pas gjithë këtij skandali pasi pas dorëheqjes së Qatos, drejtoresha e re e emëruar, Vasilika Vjero dha gjithashtu dorëheqjen 2 javë pasi mori detyrën duke treuguar kështu gjendjen e rëndë në të cilën është ky institucion. /Opinion.al

Pas