Aktualitet

KLP miraton emrin e Aida Hajnajt, kush është “superpolicja” në krye të BKH


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 12:15 - 30/07/20 |
Al Do

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka emëruar sot me një votë unanime emrin e Aida Hajnajt në drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që heton veprat penale në juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme. Veprat penale që do të hetohen nga anëtarët e Byrosë nën drejtimin e prokurorëve specialë janë krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivelin e lartë.

Emri i saj u propozua nga SPAK pasi u vlerësua se ajo i përmbushte të gjitha kriteret e kërkuara. Tashmë Aida Hajnaj do të trajnohet në zyrat e FBI, siç paralajmëroi disa ditë më parë ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Aida Hajnaj Veizaj ka një eksperiencë të gjatë në polici. Ajo ka ushtruar detyrën e shefes së sektorit për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar dhe Drejtore e Përgjithshme e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme.

Më pas u emërua nga ministri i atëhershëm Fatmir Xhafaj si drejtuese e Drejtorisë për kufirin dhe Migracionin.

Ajo u prezantua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu si zëvendëse e tij më 15 shkurt të vitit 2018.

Veizaj ishte e vetmja grua mes 4 kandidatëve për Byronë Kombetare të Hetimit. Kandidatët e tjerë ishin Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj. Këta të fundit u skualifikuan nga gara pasi sipas verifikimeve të kryera nuk i përmbushën të gjitha kriteret. /Opinion.al

Pas