Gazetarja Klodiana Lala ka folur në emisionin “Opinion” në lidhje me hetimet ndaj dosjes së AKSHI-t si dhe ndaj Ergys Agasit.
Lala është shprehur se një dosje tjetër, që është fraksion i dosjes së AKSHI-t ka të bëjë me emërimet e drejtuesve të policisë.
Sipas gazetares, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda është financuar nga Ergys Agasi, teksa theksoi se 70% e drejtorëve të policisë në qarqe janë mëruar po nga Agasi.
“Një dosje tjetër që është po fraksion i dosjes së madhe të AKSHI-t lidhet me disa zyrtarë, ose më saktë me kupolën e Policisë së Shtetit që ka patur takim me Ergys Agasin. Ne e dimë shumë mirë dhe nuk duhet të fshihemi pas gishtit. Kush i ka emëruar 70% drejtorët e policisë në qarqe, Ergys Agasi. Unë mbaj përgjegjësi penale për këtë që them, koha do më provojë. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodën e ka financuar Ergys Agasi. Është shumë publike gjëja. Nuk ka rëndësi bota e krimit kështu funksionon pse duhet të ketë titull zyrtar. Financimi nuk është vetëm me para ka dhe forma të tjera”-tha Lala.















