Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar këtë të shtunë raportin për klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2025, ku ndër të tjera thuhet se administrata shqiptare vazhdon të përballet me sfida të konsiderueshme, ndërsa Shqipëria përshkruhet si një vend me disa probleme në fushën e investimeve dhe sundimit të ligjit, të cilat ndikojnë në klimën e përgjithshme të biznesit.
Raporti rendit si sfida kryesore që dëmtojnë ambientin e biznesit korrupsionin e përhapur, një sistem gjyqësor të dobët, mungesën e transparencës në prokurimet publike, si dhe praninë e madhe të ekonomisë informale apo pastrimit të parave – sidomos me burim nga trafiku i drogës.
“Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Investitorët raportojnë se mund të jenë objektiva të zhvatjes nga administrata publike, media dhe grupet kriminale.
Raportet për korrupsion në prokurimin qeveritar janë të zakonshme, me investitorët që shpesh raportojnë raste të korrupsionit qeveritar që vonojnë dhe parandalojnë investimet në Shqipëri” thuhet në raport.
Raporti prek gjithashtu edhe kontratat PPP për të cilat vë në dukje se kanë zvogëluar mundësitë për konkurrencë.
“Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) ka zvogëluar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analiza e dobët dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme.
Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme me subjekte publike dhe private, përfshirë disa që kanë shkuar në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raport.
Në raport theksohet se ekonomia informale ka ndikuar ndjeshëm në shtrembërimin e konkurrencës në treg. Për më tepër, bizneset raportojnë ndërhyrje të paligjshme, shantazhe dhe presion nga aktorë të administratës publike, media dhe grupe të organizuara kriminale.