Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar një plan të gjerë masash për forcimin e sigurisë dhe përmirësimin e infrastrukturës në gjykatat e vendit, pas mbledhjes së mbajtur më 10 tetor 2025. Vendimi vjen pas shqetësimeve të ngritura nga gjyqtarët gjatë takimeve të zhvilluara muajt e fundit.
Sipas njoftimit, KLGJ do të mbledhë dhe analizojë informacionin e detajuar nga të gjitha gjykatat lidhur me masat ekzistuese të sigurisë, pajisjet teknike, si skanerë, detektorë dhe kamera, si dhe funksionalitetin e tyre. Pas identifikimit të problematikave, do të ngrihet një grup ndërinstitucional pune me përfaqësues nga KLGJ, KLP, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për hartimin e protokolleve standarde të sigurisë dhe trajnimin e personelit.
Një tjetër vendim parashikon marrjen e masave për ndërtimin e tetë godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë dhe të ndërtesave të reja për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Këshilli do të kërkojë gjithashtu kalimin në pronësi të godinave ekzistuese të gjykatave.
Në fushën ligjore, do të propozohet ndryshimi i ligjeve që rregullojnë statusin e magjistratëve dhe organizimin e pushtetit gjyqësor. Ndërkohë, KLGJ do të bashkëpunojë me AKEP dhe AMA për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale.
Po ashtu, është vendosur që salla e amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” të marrë emrin “Astrit Kalaja”, në nderim të gjyqtarit të rënë në krye të detyrës.