Bota

Kina konfirmon 139 raste të reja, virusi misterioz përhapet edhe në Pekin


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:28 - 20/01/20 |
Al Do

Një virus misterioz i ngjashëm me Sars është përhapur në Kinë ndërsa autoritetet thanë të hënën se ishte përfshirë edhe Pekini, duke nxitur kështu frikën e një shpërthimi të madh teksa miliona njerëz fillojnë të udhëtojnë për vitin e ri kinez.

Shfaqja e re e koronavirusit, e zbuluar në qytetin qendror të Wuhan, ka shkaktuar alarm për shkak të lidhjes së saj me sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes (Sars), e cila vrau gati 650 njerëz në të gjithë territorin e Kinës dhe Hong Kongut në 2002-03.

Wuhan ka 11 milion banorë dhe shërben si një qendër kryesore e transportit, përfshirë gjatë festës vjetore hënore të vitit të ri që fillon më vonë këtë javë dhe ku qindra miliona kinezë udhëtojnë nëpër të gjithë vendin për të vizituar familjen.

Asnjë transmetim njeri-njeri nuk është konfirmuar deri më tani por autoritetet kanë thënë më parë se kjo mundësi “nuk mund të përjashtohet”.

Një person i tretë u konfirmua se kishte vdekur dhe në Wuhan 136 raste të reja u gjetën në fundjavë, tha komisioni lokal i shëndetësisë.

Tre raste janë raportuar jashtë shteti, dy në Tajlandë dhe një në Japoni. Të hënën, media në Korenë e Jugut thanë që një grua që kishte udhëtuar nga Kina kishte testuar pozitive për virusin.

Gjithsej 201 persona janë diagnostikuar me virusin në Kinë.

Një treg ushqimesh deti besohet të jetë qendra e shpërthimit, por zyrtarët shëndetësorë kanë raportuar se disa pacientë nuk kishin pasur kontakt me këtë vend.

Shkencëtarët me Qendrën MRC për Analizën Globale të Sëmundjeve Infektive në Imperial College në Londër paralajmëruan në një letër të botuar të premten se numri i rasteve në qytet ka të ngjarë të jetë rreth 1.700, shumë më i lartë se numri i identifikuar zyrtarisht.

Autoritetet në Hong Kong kanë rritur masat e zbulimit, përfshirë pikat e kontrollit të temperaturës për udhëtarët që hyjnë nga kontinenti kinez.

Shtetet e Bashkuara thanë që nga e premtja do të fillonte kontrollimin e fluturimeve direkte që vijnë nga Wuhan në aeroportin e San Francisko dhe JFK të Nju Jorkut, si dhe Los Angeles, ku lidhen shumë fluturime. /Opinion.al

Pas