Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka mbërritur në Rusi mëngjesin e sotëm, për takimin e tij të paralajmëruar me presidentin Putin, në qytetin e Vladivostokut. Ashtu si thuajse në çdo udhëtim tjetër, lideri korean udhëtoi me tren drejt territorit rus.
Të martën një nga zyrtarët e Kremlinit, Juri Ushakov, bëri me dije se të enjten Putin dhe Kim do të diskutojnë përpjekjet politike dhe diplomatike për të zgjidhur çështjen bërthamore në gadishullin Korean.
Ky takim, i pari mes palëve, që kur Kim mori pushtetin në vitin 2011 përkon me një moment mosmarrëveshjeje mes SHBA-së dhe Koresë.
Pasi samiti i shkurtit në Hanoi nuk arriti të prodhojë ndonjë marrëveshje, duket se përpjekjet e administratës Trump për të arritur një pakt me Kim Jong-un dhe për t’i dhënë fund tensioneve bërthamore në gadishullin Korean, po dështojnë. Kjo pasi Koreja e Veriut e bëri të qartë se nuk donte të zhvillonte më bisedime me Sekretarin e Shtetit të SHBA, Mike Pompeo dhe bëri thirrje që ai të zëvendësohet nga dikush më i pjekur./Opinion.al