Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Këshilltari i DASH: Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

2023/01/11 at 8:19 PM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 8 min
A A
Këshilltari i DASH: Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.


Kështu tha ai gjatë një bisede me gazetarët në Prishtinë.

“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duke të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”.

Chollet tha se SHBA-ja beson se dialogu është mjeti më është mjeti më i mirë për Kosovën për ta siguruar të ardhmen e saj të plotë evropiane dhe euroatlantike.

Para takimit me gazetarë, Chollet takoi liderët institucional dhe të partive politike opzitare në Kosovë.

Procesi i dialogut, plani evropian dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishin ndër temat e diskutimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Kështu thuhet në njoftimin për media të 11 janarit të Zyrës së Kryeministrit.

“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.

Para Kurtit, Chollet, i cili më 11 janar nisi vizitën në Kosovë, takoi presidenten Vjosa Osmani.

Në takim, presidentja Osmani, sipas një njoftimi për media, tha se angazhimi i shtuar i SHBA-së në dialogun me Serbinë është “vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës”.

Ajo përsëriti qëndrimin se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Osmani.

Chollet dhe Osmani, sipas Presidencës kosovare, biseduan edhe për zhvillimet në rajon dhe botë dhe ajo tha se me mbështetjen e Rusisë, “Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon”.

Zyrtari amerikan takoi edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Në rrjetin social në Facebook, nënkryetar i kësaj partie, Dalibor Jevtiç, tha se në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe atë të sigurisë.

Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan vjen në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Këshilltari i DASH-it, në takimin me Osmanin dhe Kurtin, ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Chollet më herët gjatë 11 janarit qëndroi edhe në Shkup, teksa pas Prishtinës do të niset drejt Beogradi.

Para nisjes së vizitës në Kosovë, DASH tha se ai do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se vizita e zyrtarit të lartë amerikan është e rëndësishme, sa i përket dinamizimit të procesit të dialogut.

“Është e qartë se kërkesa kryesore e Chollet do të jetë angazhimi më i madh, më energjik, më i mirëfilltë, më kualitativ i Qeverisë së Kosovës në dialog sepse edhe investimet madhore amerikane në Ballkan janë të drejtuar në arritjen e marrëveshjes finale dhe gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e një etape të re historike”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Sa i përket Serbisë, Muhaxhiri thotë se ky shtet ka presione të mëdha, si nga SHBA-ja, po ashtu edhe nga BE-ja, mirëpo sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po tenton që fokusin ta vendosë te “mospajtimet dhe refuzimet e Kosovës ndaj kërkesave amerikane”.

“Por, është absolutisht e qartë që edhe Serbia do të duhet të bëjë kompromise shumë të mëdha nëse dëshiron që të mos stigmatizohet si bllokuese e procesit dhe nëse dëshiron që të ketë të ardhme normale evropiane”, thotë ai.

Fokusi te plani franko-gjerman

Vizita e Chollet në Kosovë dhe Serbi vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.

Vetë Chollet deklaroi se u shpenzuan kohë në përpjekjet diplomatike në uljen e tensioneve, në vend se palët të përqendroheshin në dialog.

Në këtë drejtim, ai ka përmendur planin franko-gjerman, apo siç po quhet së fundi edhe si plani i BE-së, që synon çuarjen përpara të dialogut drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

“Mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre”, ka deklaruar Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës të dhënë më 6 janar.

Muhaxhiri pret që pikërisht plani franko-gjerman të jetë në fokus të vizitës së Chollet në Prishtinë dhe Beograd. Sipas tij, ky plan, që nuk është bërë publik, por u është dorëzuar palëve vitin e kaluar, po konsiderohet si baza më realiste për dialog, andaj ai thotë se palët janë të interesuara që të dialogojnë mbi këtë bazë.

“Mirëpo, natyrisht që edhe çështja e Asociacionit është pjesë e planit franko-gjerman dhe zoti Chollet do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të gjendet një zgjidhje kreative për angazhimin e Qeverisë kosovare në këtë aspekt, sepse me bllokadën aktuale të kësaj teme rrjedhimisht bllokohet edhe dialogu”, thotë Muhaxhiri.

Zyrtarët në SHBA janë shprehur se prioritet për ta është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje, më 2013 dhe më 2015.

Edhe evropianët kanë kërkuar që Kosova të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, teksa Muhaxhiri thotë se pa nisur së trajtuari këtë temë, “nuk mund të ketë ndonjë avancim kuptimplotë në dialog”.

SHBA-ja madje ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk do të krijojë Asociacionin, për të do të gjenden “partnerë alternativë”. Sipas Muhaxhirit, kjo formë është presion indirekt që kjo çështje të zgjidhet, nëse presioni direkt ndaj Qeverisë nuk rezulton i suksesshëm.

“Prandaj, kjo ideja e kërkimit të bashkëpunëtorëve alternativë ka ardhur pas refuzimeve të Qeverisë së Kosovës që të bisedohet për Asociacionin, për çfarëdolloj formati të Asociacionit, edhe pse SHBA-ja e ka bërë të qartë 100 herë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të lejohet bosnjëzimi i Kosovë”, thotë ai.

Pavarësisht kërkesave të SHBA-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.

Por, Muhaxhiri thotë se Kosova nuk ka shumë alternativa dhe se duhet të pranojë një zgjidhje edhe nëse përfshin Asociacionin në të.

“Gjithsesi edhe Kosova duhet të bëjë kompromise në mënyrë që të shkohet përpara”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë siguroi propozimin e BE-së, që njihet si plani franko-gjerman, që synon të çojë përpara procesin e dialogut.

Në të parashihen të drejta të barabarta të Kosovës dhe Serbisë, respektim të integritetit territorial, mosprekjen e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Muhaxhiri thotë se Kosova do të përfitonte njohjen e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas dokumentit të siguruar nga REL-i, aty nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në OKB, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

“Nisma diplomatike ka për qëllim që Serbia ‘të detyrohet’ që të diskutojë për planin franko-gjerman”

Pas Prishtinës, Chollet do të qëndrojë në Beograd më 12 janar. Sipas kryetarit të Komisionit për Kosovën në Parlamentin serb, Millovan Drecun, Serbia nuk do të refuzojë kurrë bisedimet me faktorin ndërkombëtar.

“Por, është plotësisht e qartë se biseda do të jetë shumë e shkurtër. Prandaj, ne refuzojmë çdo ide për ta trajtuar Kosovën si shtet”, tha për REL-in Drecun, i cili është pjesë e Partisë Progresive Serbe, të presidentit Vuçiq.

Millovan Drecun tha se nisma e ardhshme diplomatike ka për qëllim që Serbia “të detyrohet” që të diskutojë për planin franko-gjerman.

Në janar, në Kosovë dhe Serbi po ashtu pritet të qëndrojnë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ata pritet të shoqërohen nga të dërguarit e presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emmanuel Bonne dhe Jens Pletner.

Emisarë evropianë dhe amerikanë po ashtu kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë muajve të fundit. Fushatat diplomatike, sipas Muhaxhirit, janë treguar të suksesshme në të kaluarën.

“Është një privilegj për Kosovën që ekziston një interesim kaq i madh për arritjen e marrëveshjes finale nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, pasi që edhe në Rambuje dhe Vjenë është dëshmuar se kjo është qasja e vetme e cila mund të dërgojë deri në suksesin e marrëveshjeve”.

“E njëjta po ndodh edhe tash, prandaj edhe Kosova duhet të jetë bashkëpunuese me ndërkombëtarët në mënyrë që të përfitojë nga interesimi i tyre dhe që përfundimisht dialogu me Serbinë ta marrë një epilog dhe kjo të shndërrohet në një etapë historike për Kosovën, dhe Ballkanin në përgjithësi”, thotë ai.

“Vijat e kuqe” të Serbisë

Përderisa propozimi i BE-së, në Kosovë është pranuar dhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë si “bazë e mirë për diskutime të mëtejme”, zyrtarët në Serbi janë shprehur më të rezervuar.

Madje Kurti ka deklaruar se Serbia e ka refuzuar këtë plan, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Nacional të Sigurisë të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, duke iu referuar një deklarate të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, që atëbotë deklaroi se Serbia nuk do të mund të pranonte një plan ku njihet pavarësia e Kosovës.

Daçiç më 10 janar tha se Serbia ka tri vija të kuqe sa i përket Kosovës: çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe garantimi i sigurisë së serbëve që jetojnë në Kosovë.

Interesimi i ndërkombëtarëve për marrëveshjen finale

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se viti 2023 mund të jetë vit vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.

Ai ka deklaruar se “dritarja e vetme e mundësive” që të arrihet një marrëveshje është nga marsi i këtij viti deri në dhjetor apo në fillim të vitit të vitit 2024.

Loic Tregoures, profesor i shkencave politike dhe ekspert për Ballkanin, i tha Shërbimit të Ballkanit të REL-it, se Uashingtoni dhe Brukseli, me këto përpjekje po dëshirojnë të shmangin shpërthimin e një konflikti të ri.

Sipas tij, 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, është koha që palët të arrijnë një marrëveshje dhe se është në interesin e Prishtinës që të përshpejtohet ky proces për të normalizuar situatën e saj ndërkombëtare.

“Megjithatë, nga pikëpamja e Serbisë nuk ka nguti, status quo-ja është e mirë për presidentin Vuçiq”, tha ai.

Tregoures shtoi se sa më shpejt që mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, BE-ja mund t’ia kujtojë Vuçiçit  se të qenët kandidat për BE nënkupton se duhet të jesh serioz për disa çështje “që aktualisht po mbahen të heshtura”. Në këtë drejtim ai përmendi reformat në sundimin e ligjit, gjyqësor, lirinë e medias, legjislacionet për mjedisin si dhe luftën kundër korrupsionit.

Kosova dhe Serbia dialogojnë me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Prishtina kërkon që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar saktësisht se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./ REL



Ju sugjerojmë

“Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i administratës”,OSBE/ODIHR:Presione ndaj…
Aktualitet

“Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i administratës”,OSBE/ODIHR:Presione ndaj…

12 Maj, 2025 3:36 pm
“Zgjedhjet ishin konkurruese”, OSBE/ODIHR: Klima politike ishte e polarizuar!
Aktualitet

“Zgjedhjet ishin konkurruese”, OSBE/ODIHR: Klima politike ishte e polarizuar!

12 Maj, 2025 3:21 pm
Drejt mandatit të katërt, PS fiton edhe bashkinë e Cërrikut
Aktualitet

Drejt mandatit të katërt, PS fiton edhe bashkinë e Cërrikut

12 Maj, 2025 3:07 pm
Aksident në aksin rrugor Himarë-Borsh, humb jetën një grua
Aktualitet

Aksident në aksin rrugor Himarë-Borsh, humb jetën një grua

12 Maj, 2025 2:59 pm
Mbyllet numërimi në bashkinë Përmet, ja kush parti kryeson
Aktualitet

Mbyllet numërimi në bashkinë Përmet, ja kush parti kryeson

12 Maj, 2025 2:58 pm
Në pranga babai i kandidates së PSD në Fier, SPAK: Po hetohet për krim zgjedhor
Aktualitet

Në pranga babai i kandidates së PSD në Fier, SPAK: Po hetohet për krim zgjedhor

12 Maj, 2025 2:51 pm
“Reuters”: Ndodhi ajo që pritej, PS kryeson në zgjedhje
Kryesore

“Reuters”: Ndodhi ajo që pritej, PS kryeson në zgjedhje

12 Maj, 2025 2:43 pm
Do pranojnë rezultatin e zgjedhjeve nëse njihen nga ndërkombëtaret? Berisha: Vetëm…
Aktualitet

Do pranojnë rezultatin e zgjedhjeve nëse njihen nga ndërkombëtaret? Berisha: Vetëm…

12 Maj, 2025 2:33 pm
“Rama firmosi 100 euro një votë”/Berisha: PS, zyra ilegale pranë qendrave të votimit
Kryesore

“Rama firmosi 100 euro një votë”/Berisha: PS, zyra ilegale pranë qendrave të votimit

12 Maj, 2025 2:22 pm
PS: Zvarritja e procesit e pajustifikueshme, çdo votë të numërohet me respekt
Aktualitet

PS: Zvarritja e procesit e pajustifikueshme, çdo votë të numërohet me respekt

12 Maj, 2025 2:12 pm
Para
Këlliçi: Veliaj nuk më tremb fare, është kandidati më i dobët

Këlliçi: Nuk e dija që kisha një vit kohë për autokritikë ndaj shokut Alibeaj

Begaj mesazh gazetarëve: Të jeni frymëzues dhe të keni fuqinë e së vërtetës

Begaj mesazh gazetarëve: Të jeni frymëzues dhe të keni fuqinë e së vërtetës

Video/ “Faqen ta prek içik kështu”, zyrtari i Tatimeve i fut duart koleges

Video/ “Faqen ta prek içik kështu”, zyrtari i Tatimeve i fut duart koleges
















TE FUNDIT

“Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i administratës”,OSBE/ODIHR:Presione ndaj…

“Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i administratës”,OSBE/ODIHR:Presione ndaj…
12 Maj, 2025

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR publikoi gjetjet e raportit paraprak për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Përfaqësuesja e misionit, Farah Karimi...

Lexo më shumë

“Zgjedhjet ishin konkurruese”, OSBE/ODIHR: Klima politike ishte e polarizuar!

“Zgjedhjet ishin konkurruese”, OSBE/ODIHR: Klima politike ishte e polarizuar!
12 Maj, 2025

Vëzhguesit e OSBE-ODIHR dhanë një raport për ecurinë e zgjedhjeve parlamentare të organizuara më 11 Maj. Sipas këtij raporti, thuhet...

Lexo më shumë

Drejt mandatit të katërt, PS fiton edhe bashkinë e Cërrikut

Drejt mandatit të katërt, PS fiton edhe bashkinë e Cërrikut
12 Maj, 2025

Edhe në bashkinë e Cërrikut ka dalë fituese Partia Socialiste. Pasi ka përfunduar procesi i numërimit të votave, mësohet se...

Lexo më shumë

Aksident në aksin rrugor Himarë-Borsh, humb jetën një grua

Aksident në aksin rrugor Himarë-Borsh, humb jetën një grua
12 Maj, 2025

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar mesditën e sotme në aksin “Himarë-Borsh”. Sipas uniformave blu  ngjarja ka ndodhur rreth...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com