Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të shtyjë vendimin për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili ka ankimuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Mësohet se shpallja e vendimit për Berishën është caktua në datën 25.01.2024, në orën 09:00.
Seanca gjyqësore në Apelin e Posaçëm për ankimimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nisi sot në orën 9:00, ku avokatët kërkuan heqjen e masës së arrestit në shtëpi për ish-kryeministrin.
Dy ditë më parë Berisha u ankua në Gjykatën e Posaçme dhe përmes avokatëve kërkon që të rrëzohet vendimi i SPAK që nuk i dha leje të veçantë për të shkuar çdo të enjte në seancat parlamentare.
Ankimimi u dorëzua nga avokati i tij Sokol Mëngjesi. Avokatët sjellin një sërë kauzash, por më e rëndësishmja sipas tyre lidhet me një vendim të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Si shpjegim tjetër avokatët sjellin faktin që nuk ka ende një vendim për heqje mandati dhe se Berisha e gëzon ende statusin e deputetit.