Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar në Gjermani me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë. Bëhet fjalë për Silvester Driza, 30 vjeç, i shpallur në kërkim nga SPAK për pastrim parash për aferën e inceneratorëve. Policia bën me dije se si rezultat i informacioneve të siguruara dhe shkëmbimit të tyre me homologët gjermanë, u finalizua operacioni policor i koduar “Freiburg”.
“Në vijim të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar nga SPAK-u, në kuadër të operacionit policor të koduar “Freiburg”, si rezultat i informacioneve të siguruara dhe shkëmbimit në kohë, nga Policia gjermane është kapur në Freiburg, Gjermani, dhe është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Silvester Driza, 30 vjeç”-njofton policia.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, i ka caktuar 30-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden/Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt vendit tonë./Opinion.al