Një operacion policor i koduar “Shtegtarët” ka vënë në pranga dy persona të akuzuar për disa grabitje në qytete të ndryshme të vendit.
Mësohet se në pranga kanë rënë Besjan Dedaj 33 vjeç nga Thumana e Krujës dhe Sajmir Voka 28 vjeç nga Tirana.
Sipas policisë, në një lokal në Golem të Kavajës, ata vodhën televizorë e sende të tjera dhe pas disa ditësh u kthyen sërish në të njëjtin lokal ku kërcënuan me armë administratorin për të mos kallëzuar ngjarjen. Gjithashtu nën kërcënimin e armës, u morën celularët 4 klientëve që të mos njoftonin policinë.
Po ashtu të dy këta persona kanë vjedhur në një banesë në Kavajë, si dhe kanë tjetërsuar duke i çuar për pjesë këmbimi në Kukës, disa automjete të marra me qira.
Gjatë aksionit për kapjen e tyre, në Thumanë të Krujës u sekuestrua një kallashnikov, municion luftarak dhe 7 milionë Lekë të vjetra.
Dy të rinjtë tashmë akuzohen për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Kanosja për të mos kallëzuar”, kryer në bashkëpunim, për veprime të mëtejshme procedurale.