Ndërhyrja e shërbimeve të Policisë ka parandaluar një tjetër ngjarje të mundshme kriminale në një familje, në qytetin e Korçës.
Mësohet se në pranga ka rënë një 64-vjeçar, pasi kërcënonte me thikë bashkëshorten e tij, për motive të dobëta.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 11, Korçë, një shtetas kanoste me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve porfesionale të shërbimeve të Policisë, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. L., 64 vjeç, banues në Korçë, i cili dyshohet se ka kanosur disa herë, me thikë, bashkëshorten e tij, për motive të dobëta.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale thikën e përdorur dje, për kanosjen”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al