Edhe pse brenda hekurave të burgut, një 44-vjeçar nuk rreshti së kërcënuari gruan e tij, të cilës i telefononte duke i thënë se nëse ndahej do ta vriste. E ndodhur në këto kushte, 31-vjeçarja bëri kallëzim në polici dhe prej andej materialet iu kaluan prokurorisë. Tashmë 44-vjeçarit, i cili po vuan burgun për “armëmbajtje pa leje”, pritet t’i shtohet edhe akuza e kërcënimit me jetë.
Lajmin për kërcënimin e bëri të ditur zyrtarisht Policia e Shtetit. Më datë 7 janar 2016, shtetasja Anita Shera, 31 vjeçe, banuese në Rrogozhinë, kallëzon se është kanosur nëpërmjet telefonit nga bashkëshorti i saj, Hendri Shera, 44 vjeç, i cili ndodhet në Burgun e Rrogozhinës, për veprën penale “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”. Në brendësi të burgut atij iu gjet dhe iu bllokua celulari.
Gruaja i ka thënë policisë se burri e merrte vazhdimisht në telefon dhe e kërcënonte se nëse ajo i vazhdonte procedurat e divorcit në gjykatë, ai do të gjente mundësinë që ta vriste. “Kemi një fëmijë të vogël, nuk e duroj dot më këtë gjendje, ju lutem më ndihmoni se ai më kërcënon me jetë”, mësohet të ketë dëshmuar 31-vjeçarja.