Nga Roland Qafoku
Vera e re në fuçinë e vjetër
Në romanin “Të jetosh në ishull”, Ben Blushi shkruan se, ne shqiptarët Zoti na ka dënuar duke na lënë mes grekëve dhe turqve. Herë të krishterë dhe herë myslimanë, herë aleat me Lindjen e herë aleat me Perëndimin, gjithmonë populli ynë ka qenë edhe kështu edhe ashtu, edhe andej edhe këtej. Duket si një profeci, sikur këtë rregull, Ben Blushi ta ketë shkruar për veten e vet, teksa edhe atë Zoti e ka lënë mes dy profesioneve, gazetarisë dhe politikës. Shkëlqeu deri në vitin 1997 në gazetari, u katapultua atë vit në politikë dhe pas më shumë se 20 vjetësh, u kthye sërish në gazetari. Në vitin 1997, thanë tradhtoi gazetarinë, ndërsa më 2018, thanë tradhtoi politikën. Në vitin 1997, thanë e la në mes projektin “Indipendent”, i dalë si derivat i gazetës “Koha Jonë”, ndërsa në vitin 2018, thanë e la në mes projektin “LIBRA”, si derivat i Partisë Socialiste. Vetëm një profesion e kultivoi njëkohësisht me gazetarinë dhe politikën: si shkrimtar. Shkroi romane duke qenë edhe gazetar edhe politikan, duke e shkundur mirë letërsinë e dremitur të pas vitit 1990. Përpos vlerës artistike, temës delikate dhe stilit tipik alla Blush, “Të jetosh në Ishull”, botuar në vitin 2007 dhe “Otello, Arapi i Vlorës” në vitin 2011, cilësohen nga kritika si dy romanet që kanë shkaktuar më shumë polemika dhe debate, sa asnjë vepër tjetër letrare në gjuhën shqipe.
Por kë ka tradhtuar Ben Blushi, gazetarinë apo politikën? Apo të dyja bashkë? Me atë që tregoi në media si gazetar i “Rilindja Demokratike”, “Deutche Welle”, kryeredaktor i “Koha Jonë” dhe “Indipendent”, por si politikan në detyrën si zëdhënës i kryeministrit Fatos Nano, prefekt i Korçës, zëvendësministër i Jashtëm, ministër i Arsimit dhe ministër i Pushtetit Lokal, por edhe 4 herë deputet, duket se as gazetaria vetëm, e as politika po vetëm, nuk e kanë nxënë formatin e Ben Blushit.
Ben Blushi shkëlqeu në media. Gazeta “Koha Jonë” u kthye në të vetmen opozitë në një opozitë pothuajse të vdekur të Partisë Socialiste. Shkrime të forta plot forcë mendimi, plot sqimë dhe guxim deri në habi e shndërruan Blushin në kryeredaktorin më të suksesshëm që është futur në historinë e medias postkomuniste në Shqipëri.
Ben Blushi shkëlqeu në politikë. Fjalimet e tij në foltoren e Parlamentit kanë qenë ndoshta të vetmet artikulime interesante që ia ka vlejtur të ndiqeshin në seancat parlamentare në Shqipëri. Ato jo vetëm thyen atë vrazhdësi deri në mediokritet, të shumë e shumë deputetëve që gjatë seancave unlimited, vërtetë kanë folur, por nuk mbahen mend për asgjë se çfarë kanë thënë. Përmes fjalës në Parlament, Blushi u kthye në armikun politik më të fortë për t’u mundur, jo vetëm për të djathtët me Berishën në krye, por edhe brenda të majtës me Edi Ramën në krye. Blushi u kthye në njeriun e vetëm në Partinë Socialiste që, në mënyrë simbolike, e detyroi Ramën të thoshte se, në mbledhjen e kryesisë vetëm Ben Blushi mund të fliste pa leje. Kjo erdhi pas batutës së tij se, PS ishte bërë si autobusi i viteve ’80-të, në të cilin shkruhej: “Mos i fol shoferit”! Një nga fjalimet e Blushit që tashmë ka hyrë në historinë e ligjërimit politik në Shqipëri, është ai pas marrëveshjes mes Ramës dhe Bashës më 18 maj 2017, që i dha fund protestën prej 90 ditësh në çadrën e Partisë Demokratike. Ky pasazh i dalë nga goja e Blushit, drejtuar Edi Ramës në parlament, mbetet unikal:
“Do të ishte e papërshtatshme t’ua prishja sot dasmën. Të dyja palët keni ardhur në një dasmë, sepse sapo keni votuar një qeveri të përbashkët. Cila është arsyeja që ju çoi në bashkëqeverisje. Është për të qeshur dhe për të qarë që, pas 27 vjetësh sharje e kacafytjesh, Sali Berishën dhe Edi Ramën i kemi sot në një qeveri. Saliu qesh, e di që i pëlqen kjo gjë, ka kohë që do të jetë në qeveri me Rilindjen. Më në fund e realizoi. U fut në çadër tre muaj si heronjtë e Republikës së re dhe si dolët nga çadra? Ca si elektricistë te OSHEE-ja, ca si drejtorë burgjesh, ca si njerëz që shpërndajnë tapi në hipoteka. Këto i ndatë me Rilindjen. Dhe ju që nuk latë banditë edhe kriminelë dhe vrasës pa fut në Rilindje, ju kishte ngelur një pa futur, Sali Berisha. E futët dhe Saliun. Komplimentet e mia”!
Apo kur Edi Rama e cilësoi “të palexuar dhe dembel”, Ben Blushi ia ktheu në emisionin “Debati në Channel One”, që unë drejtoj:
“ Kam shkruar më shumë faqe libra, se sa Edi Rama ka firmosur shkresa”.
Apo kur iu drejtua Berishës kryeministër, në një seancë kur shefi i qeverisë e kishte akuzuar se vidhte libra dhe përgjigjja e Blushit ishte, aty për aty, me sens ekstra humori që i bëri të gjithë të qeshin:
“Kjo nuk është e vërtetë. Por nëse e zëmë se është e vërtetë, përsëri unë quhem hajdut librash, por nuk jam si yt bir, që është hajdut plumbash”.
…….
Në një ditë qershori të vitit 1998, teksa ndodhesha në Prokurorin e Përgjithshme si reporter i kronikës së zezë i gazetës “Koha Jonë”, më ra në sy diçka jo e zakonshme. Godina po lyhej dhe në të gjitha xhamat e dritareve të saj, ishin ngjitur qindra gazeta në vend të perdeve. U bëra kureshtar të shikoja se çfarë testate ishte ajo gazetë dhe kur u afrova, mbeta i shtangur. Ishte gazeta “Koha Jonë” dhe titulli i saj i madh ishte, “Berisha duart me gjak”. Ishte pikërisht numri i asaj gazete që më 2 mars 1997, nuk doli në treg dhe SHIK e bllokoi. Ishte numri i asaj gazete, për të cilin redaksia e gazetës “Koha Jonë” u dogj dhe kryeredaktor dhe autor i atij titulli, ishte Ben Blushi.
Tashmë, 20 vjet më vonë, kryeredaktori më i spikatur në këto 28 vjet në Shqipëri, është drejtor i përgjithshëm i “Top Channel”. Shumë komente kam lexuar dhe parë këto ditë, përse Ben Blushi jo vetëm u rikthye në media, por këtë rikthim e bëri nëpërmjet “Top Channel”. Dikush e lidh me natyrën e tij prej politikani nuhatës, të tjerë me marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama si kundërshtar të fortë, e të tjerë akoma e lidhin me pagën e lartë. Çdokush që ka bërë dhe bën një koment për Blushin në këto momente, mund ta paragjykojë dhe gjykojë. Kështu mund të ndodhë edhe me mua, por kjo nuk ka fare rëndësi, nëse mendimi që jep është i sinqertë me veten dhe nuk niset nga asnjë lloj interesi. Pavarësisht komenteve, ajo që mbetet është se, ne aktualisht kemi si drejtor të përgjithshëm televizioni një personazh tepër të aftë në profesion dhe për më tepër nuk bën kompromis. Ne kemi drejtor televizioni një gazetar, politikan, por mbi të gjitha, një shkrimtar. Pasardhës i dy shkrimtarëve nga më të spikatur që ka patur Shqipëria në monarki, komunizëm dhe demokraci, gjyshi i tij Dhimitër Shuteriqi dhe i ati Kiço Blushi, janë pjesë e artë e letërsisë shqipe. Por mbi të gjitha, kemi një person publik disa dimensionësh, shumë të komentuar, madje edhe shumë të kontestuar, sepse në çdo rrethanë, në çdo profesion, ai jo vetëm nuk i është ndarë, por ka qëndruar pranë politikës. Kur ishte në politikë, thoshin se Ben Blushi i mungon gazetarisë. Tani që është në gazetari, thonë se i mungon politikës. Vetëm një profesion e ka ushtruar paralelisht. Autor i disa romaneve të vlerësuar, Ben Blushi është pena më interesante dhe një zbulim si shkrimtar, në atë që quhet letërsi postkomuniste. Përtej vulgaritetit të një politikani që i tha se populli e kishte zgjedhur për të bërë ligje në Parlament, ndërsa ai shkruan romane, Ben Blushi u bë politikani i parë dhe i vetmi që Parlamenti prodhoi si shkrimtar. Një shkrimtar kalibri të cilësuar si një xhevahir i letërsisë shqipe dhe që dërrmoi duke qenë në politikë rregullin se, nëse dija e personazheve të vegjël paraqitet e madhe, ta dish se në atë vend po perëndon dielli
Për të treguar mjeshtërinë e tij, po japim disa pasazhe të mjeshtërisë së penës, “Made in Ben Blushi”:
Te romani “Të jetosh në ishull”
“Sikur Muhamedi të ishte shqiptar, grekët do ta kishin vrarë atë”.
«Islami dhe Krishterimi janë si hëna me diellin: të dyja kanë marrë përsipër të ndriçojnë botën, por kur njëri ikën, vjen drita dhe kur ikën tjetri, vjen nata».
“Ne shqiptarët nuk kemi ditur të bëjmë paqe me perandoritë, por si një tufë e përçarë dhe pa bari, kemi pranuar një e nga një zakonet dhe fenë e tyre”.
“Perandoria bizantine ishte e tillë sa arriti të bashkojë nën pushtet tre elementë që, në rast se pajtohen, prodhojnë qenie perfekte; një shpirt grek, një mendje romake dhe një trup mysliman”.
“Napoli ishte një qytet që nuk flinte ose më saktë, ditën flinin marinarët dhe punonin napolitanët ndërsa natën këta flinin, ndërsa marinarët pinin dhe gëzonin”.
“Voskopoja nuk kishte det si Kreta dhe prandaj nuk shpëtoi”.
“Mos harro se gjërat që nuk duhet të bësh, janë më të rëndësishme se ato që duhet të bësh”.
Te romani “Otello Arapi i Vlorës”:
“Dallgët, duke mbushur gojët e tyre me shkumë, duken sikur po lanin dhëmbët me sapun.”
“Njerëzimi ndahet në tre kategori: Qenie që punojnë, qenie që nuk punojnë dhe gra”.
“Njerëzit plakeshin ngadalë, njësoj si vera e vjetër, e cila ndryshon ngjyrën e vet pa ndryshuar ngjyrën e shishes”.
“Nëse duhet të fitosh, duhet të fshehësh mendimin që ke për vete.”
“Një gjë e shtrenjtë që e blej lirë, është më e shtrenjtë se çdo gjë e shtrenjtë që e shes lirë”.
Fati i disa njerëzve ka qenë i lidhur me zotërimin ose jo të një biblioteke në shtëpinë atërore. Ben Blushi zotëroi dy, atë të atit Kiço Bushi dhe të gjyshit Dhimitër Shuteriqi. Sot shkrimtari dhe gazetari është drejtor i televizionit “Top Channel”, duke u bërë rasti i parë në historinë e Shqipërisë, që një televizion kombëtar ka në krye një gazetar politikan, por edhe shkrimtar. Por politika e ka ngatërruar paksa statusin e tij. Prandaj, dorëheqja e Ben Blushit nga “LIBRA” dhe nga politika, nuk është lajm i keq. Ashtu siç nuk ishte lajm i keq edhe ai i qershorit të vitit 199,7 kur dha dorëheqjen nga gazetaria. Si gazetaria dhe politika mund të rrinë paqësisht bashkë te Ben Blushi, pa e tradhtuar njëra-tjetrën ashtu në rregullin siç shkroi ai në romanin, “Të jetosh në ishull”, se krishterimi dhe myslimanizmi qëndrojnë te shqiptari pa e tradhtuar njëri-tjetrin. Fiks fare, gazetaria dhe politika janë dy “Ishujt” e Ben Blushit, ndërsa letërsia është si “Otelloja” në mes tyre, tamam si dy romanet e tij më të suksesshme. Natyrisht, pa harruar që është shkrimtar.