Një skandal i rëndë seksual ka përfshirë kombëtaren kubeneze të volejbollit për meshkuj. 4 nga 12 volejbollistët e kombëtares kubaneze që morën pjesë fundjavën e kaluar në ndeshjet e Grupit B të World League të zhvilluara në Tampere të Finlandës, ndodhen pas hekurave. Ata akuzohen për përdhunim.
Pak orë para ndeshjes Finlandë-Kubë, policia finlandeze arrestoi 3 volejbollistë (Kuba në atë takim regjistroi me 9 lojtarë në protokoll) dhe pas përfundimit të saj edhe 5 të tjerë. Por sot paradite, 4 nga 8 të arrestuarit janë lënë të lirë, ndërsa 4 të tjerë ndodhen ende në burg (të gjithë të moshës 19-21 vjeç).
Sipas policisë finlandeze, që nuk ka dhënë shumë detaje për shkak të hetimit që vijon ende, pas hekurave ndodhen kapiteni i ekipit Rolando Cepeda si dhe lojtarët e tjerë Abrham Alfondo, Ricardo Calvo dhe Osmani Uriarte. Të ndaluar, por në cilësinë e dëshmitarit edhe Luis Soda e Dariel Albo.
Këta 6 volejbollistë dhe trajneri i tyre Manuel Espinosa, që ka vendosur t’i shoqërojë, ndodhen ende në Finlandë, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është nisur për në vendlindje. Ky incident ka krijuar mjaft polemika edhe te Federata Ndërkombëtare e Volejbollit (FIVB) që është informuar për skandalin seksual. Aq sa këta lojtarë apo e gjithë kombëtarja kubeneze rrezikon përjashtimin nga “Rio 2016”, ku është kualifikuar.