Një peshkaqen me peshë 450 kilogramë dhe i gjatë 4.5 metra është kapur afër brigjeve të Durrësit.
Ai u kap nga peshkarexha ‘Çelepia’ në 130 metra thellësi dhe i përket llojit “Peshkaqen i Bardhë”, një specie e rrallë për ujërat e Adriatikut.
“Carcharodon carcharias” është e vetmja specie e gjallë e gjinisë Carcharodon, i familjes Lamnidae. Emri i tij rrjedh nga ngjyra e bardhë që ka barku i tij. Ai njihet si një grabitqar i rrezikshëm dhe mund të arrijë në gjatësi 6 metra dhe peshë 2240 kg.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditëve që në bregdetin Adriatik kapen peshkaqenë. Një javë më parë një peshkaqen Tigër u kap nga peshkarexha “Meduza” në 120 metër thellësi në pjesën që njihet si Durrësi i vjetër në zonën e Currilave. /Opinion.al