1.3 ton kokainë e fshehur në një kamion me banane janë kapur sot në Maqedoninë e Veriut. Mësohet se kamioni kishte hyrë nga Mali i Zi në Shkodër dhe ka dalë po dje nga dogana e Qaf Thanës për në Maqedoninë e Veriut.
Aksion policor është zhvilluar në Krushopek të Sarajit. Bëhet me dije se kur lënda narkotike ka hyrë në Shqipëri, policia e ka vrojtuar, në rast se kokaina do shkarkohej në vend.
Ndërkohë, policia ka arrestuar tre persona, 2 shoferë dhe 1 magazinier që punonin në magazinën e frutave ku u gjet edhe droga.
Informacionet e para bëjnë me dije se kokaina fillimisht ka ardhur nga Amerika në Bar, (Mal i Zi) e duhej të përfundonte në Koper (Slloveni). Kamioni në të cilën ishte fshehur sasia e kokainës ishte me targa maqedonase.
Sipas të dhënave, kapja e lëndës narkotike është bërë në kuadër të një aksioni ndërkombëtar policor, ku janë përfshirë DEA amerikane, Guardia di Finaza, policia shqiptare si dhe ajo maqedonase. / Opinion.al