Policia e Malësisë së Madhe ka sekuestruar 76.2 kg mariuanë dhe një sasi fishekësh. Operacioni “Forest” nisi dje pasdite ku u ngritën pika kontrolli për të ndaluar automjetin Benz Mercedes ML me targë AA476MJ, i cili po lëvizte nga fshati Brigjë për në Rapsh, në afërsi të kufirit të gjelbër me Malin e Zi.
Drejtuesi i mjetit sapo ka parë punonjësit e policisë, ka ndaluar automjetin dhe është larguar me shpejtësi në shpatin e malit nëpër shkurre. Gjatë kontrollit të automjetit në bagazhin e tij u gjetën shtatë thasë, ku brenda të cilave ishin 69 pako, dhe ku në total me një sasi prej 76.2 kg lëndë narkotike mariuane.
Ndërsa në shtëpinë e 25-vjeçarit F. H, drejtuesi i mjetit i cili u shpall në kërkim, u gjetën dhe 130 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy krehëra, tha policia.