Kandidati i partisë së Astrit Patozit, në Bashkinë e Kurbinit, thotë se do të ankimojë rezultatin e 30 qershorit në Kolegjin Zgjedhor, ndërkohë që do të hetohet edhe nga Prokuroria me dyshimin për krime zgjedhore.
Sipas të dhënave të KQZ, kandidatja e Partisë Socialiste Majlinda Cara, rezultoi fituese me 6.623 vota përballë Edmond Pirolit, i cili mori 966 vota. Por sipas kandidatit të Bindjes Demokratike, procesi atje u manipulua, duke dyfishuar numrin e votuesve reale, me anë të futjes së fletëve në kutitë e votimit.
Ai thotë se ka prova se komisionerët kanë votuar në emër të personave që nuk ndodhen në Shqipëri, me kartat e sjella nga familjarët nën presion.
“I kanë kërcënuar për të sjellë karta identiteti të familjarëve të tyre dhe të votonin komisionerët në emër të tyre. Kam prova të dokumentuara me CD, me filmime dhe unë do t’i drejtohem Kolegjit Zgjedhor për apelim për këtë masakër elektorale që ka ndodhur ne Kurbin”, ka thënë Edmond Piroli
Shembull në manipulimit, Piroli cilëson dy qendra votimi të ngritura në një ambient privat në Fushë Kuqe. Ai pretendon se aty realisht kanë votuar vetëm 6 persona ndërkohë që në kutitë e votimit janë gjetur 60 dhe 120 fletë./ Opinion.al