Një hetim i gjatë i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe policia ka përfunduar me 4 të arrestuar, për trafik të kanabisit drejt Italisë dhe Greqisë. Në pranga kanë përfunduar: Arben Kanina, 44 vjeç; Petro Kuçi, 44 vjeç; Mirel Ademi, 31 vjeç dhe Artur Shukulli, 42 vjeç.
Sipas organit të akuzës ata janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Katër të arrestuarit dyshohet se, bashkë me disa të tjerë, në të paktën dy episode të ndryshme, kanë tentuar të trafikojnë në Itali rreth 85 kg kanabis, si edhe në Greqi rreth 670 kg lëndë narkotike, në vitin 2014. Në këto ngjarje janë përfshirë një numër i lartë personash, disa prej të cilëve janë arrestuar kohë më parë.
Gjatë hetimit të këtij grupi nga Tirana, në fillim të vitit 2014, Prokuroria për Krime të Rënda konstaton se ata bashkëpunonin me disa persona të tjerë, kryesisht nga Delvina dhe Lazarati.
Tvklan.al