Aktualitet

Kamioni i përplasi për vdekje gruan, bashkëshorti: Pashë tmerr



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:10 - 13/09/22 |
Opi Nion

Në datën 20 Shtator 2021 në segmentin rrugor që të çon nga kthesa e Kamzës drejt Vorës ka ndodhur një aksident me pasojë vdekjen.

Myrvet Hakorja tregoi për “Stop” se ka qenë duke bërë pazaret së bashku me gruan e tij Drita Hakorja. Në momentin që kanë dalë, Myrveti kaloi i pari rrugën pasi do shkonte tek furra e bukës dhe më pas u përpoq të kalojë edhe gruaja e tij. Vendi ku do kalonin ishte te mbikalimi, i vetmi vend për këmbësorët. Kur do kalonte Myrveti ka ndaluar një kamion. Po më pas kamioni është nisur dhe Drita është aksidentuar.

“Më 20 Shtator ishim në QTU bëmë pazare të vogla siç bëjnë pensionistët. Dhe erdhëm poshtë! Kur vijmë tek kjo firma më thotë kur të kalojmë mbikalimin ik ti merre bukën se e marr në Katund të Ri te furra se e marr të ngrohtë se i marr unë këto të tjerat. Ajo u ndal të rregullojë kuletën tek çanta, unë erdha. Erdha deri tek ky vendi këtu për të kaluar matanë dhe po prisja. Ishte trafik i lartë. Në moment vjen një maune dhe më bën shenjë për të kaluar. U ndal. Kalova andej! Kur kaloj matanë kthej kokën të shoh gruan. Kur kthehem shoferi e kishte kokën nga unë. Gruaja sapo kaloi makinën dhe erdhi përafërsisht me centimetra në pozicionin që isha unë. Unë thashë se do ta mbajë. Po tërhiqej do shmangej. Atëherë kam bërtit me të madhe. E përplasi. Iku ajo poshtë. Sa kishte paralelet e sistemit të drejtimit dhe siç ishte me çantën në sup ashtu ishte shtrirë, me kokën nga mbikalimi”.

Shoferi ka dalë nga kamioni dhe duke menduar të ndihmonte gruan, bëri gabimin e dytë sipas Myrvetit, pasi duhet ta ngrinte kamionin në krik dhe jo të ikte me indietro.

“Atëherë bëri gabimin e dytë kur hipi në makinë dhe i futi indietro në vend që të merrte një krik se nuk ka makinë pa krik që të lëviznim. Atëherë pashë tmerrin e madh se isha gërmuar dhe po e shihja atje. Bërtiti me të madhe. Kjo më ka ngel në kokë mua dhe më xhiron filmi. Në orën dy të natës të më dalë gjumi mua më rri mendja tek kjo”.

Gruaja dha shpirt në makinë, rrugës për në spital.

“Gjatë rrugës dy-tri herë i thërrita “o Drita më shiko”. Isha ul tek koka sepse asaj i vareshin këmbët. Ajo i hapte sytë nja dy herë. Për të tretën herë nuk bëri më, dha shpirt”.

Myrveti tregoi se ndoqën procedurat ligjore. Kamioni drejtohej nga një shtetas maqedonas. Ekspertiza nxorri viktimën fajtore.

“Pasi e varrosëm gjetëm një avokat dhe shkoi çështja në prokurori. Dëshminë time dhe të shoferit e kishin ata. Shoferi ishte i një firme maqedonase. Ekspertiza, kjo është më e çuditshme, sepse nxorrën fajtore viktimën. Gjithmonë i merr me vete ai që vdes. Kam dyshimet e mia që këtu luhet ndonjë lojë e madhe. Unë nuk e kuptoj. Ata kanë përdorur argumentin që shoferi ka dhënë rrugëkalimi për mua, ndërsa gruaja ishte me vonesë dhe nuk e ka parë atë sepse ka fushëpamje. Ama në deklaratën e shoferit thuhet që unë shoh mbi një gjysmë metri në një kohë që gruaja ishte rreth 4-5 metra larg”.

Prokuroria kërkoi pushimin e çështjes, por gjykata vendosi për rihetim dhe kryerjen e riekspertizës eksperimentale. Prokuroria e kundërshtoi në apel.

“Prokurorja kërkoi pushimin. Ne e hodhëm në gjykatë dhe gjykata dha vendimin që të rihetohet çështja dhe të bëhet ekspertizë eksperimentale. Prokuroria e ka çuar në Apel dhe nuk është dakord me gjyqtaren. Mua më thahen krahët. Kam ngelur vetëm me faqet e murit, atë e kisha gjithçka. Kam besimin se vetëm “Stopi” ma zgjidh këtë problem mua, të shkojë e drejta në vend sepse mua më duket se abuzohet me kockat e të vdekurve këtu”.

Hetimet i drejtoi prokurorja Elsa Miha, ndërsa për ekspertizën auto-teknike u caktua eksperti Arjan Janku. Sipas tij konkluzioni është, që viktima nuk ka respektuar rregullat e qarkullimit, pasi në atë zonë shoferi nuk kishte shikueshmëri.

“Përshquarja e këmbësores në raport me trajektoren e përshkruar prej saj ka qenë në brendësi të zonës së vdekur, pra plotësisht e paidentifikueshme”, thuhet në raportin e Jankut.

Më tej theksohet se, “Pra, me shpejtësinë prej 10 km/orë, aksidenti ishte i paevitueshëm pasi jemi në kushtet e befasisë së ndërprerjes së rrugës nga këmbësorja”.

Ndërsa në konkluzion thuhet: Shkaku determinant teknik i ardhjes së aksidentit është mos respektimi i normave të sjelljes së qarkullimit nga ana e këmbësores dhe pikërisht shkelja e kërkesave të nenit 188, pika 2, 5 të Kodit Rrugor të kryera nga kjo përdoruese rruge e përfshirë në incident.

Familjarët nuk kanë qenë dakord me ekspertizën e parë dhe kanë kërkuar riekspertim. Prokurorja ka caktuar këtë radhë dy ekspertë Arben Luzin dhe Mark Gjonpalajn.

Edhe sipas tyre ngjarja ka ndodhur në zonën e shikueshmërisë së vdekur. Pra drejtuesi i mjetit kamion nuk i dallon personat që mund të lëvizin në këtë zonë. Pra konkluzioni: Viktima fajtore!/ Tv Klan

Pas